Në vizitën e tij të parë në një shtet anëtar të NATO-s që prej fillimit të luftës në Ukrainë, shefi i diplomacisë ruse u lejua të udhëtojë pasi Shkupi dhe Sofja pranuan të hiqnin përkohësisht sanksionet e BE, për ndalim të fluturimeve nga Rusia.
Por siç bëri të ditur zëdhënësja e Ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila e shoqëronte atë, Bullgaria kishte bërë një budallallëk duke refuzuar që avioni i Lavrovit të fluturonte mbi hapësirën e vendit.
Siç thuhet, mjeti fluturues me delegacionin rus, është detyruar të udhëtojë mbi Turqi dhe Greqi për të mbërritur në Shkup. Zakharova, që është në listën e individëve të sanksionuar nga BE, tha se prania e saj në bordin e avionit ishte arsyeja që Bullgaria refuzoi kalimin mbi hapësirën e saj.
“Ky budallallëk i rusofobisë arriti deri në pikën, që për herë të parë në historinë tonë, autoritetet të ndalojnë jo avionin, por personin që gjendet në të”, tha Zakharova, e cila sugjeroi se Rusia mund të vendosë ndalesa të ngjashme të fluturimeve për mijëra funksionarë të NATO-s.
Ajo shtoi më tej se, Bullgaria “krijoi një precedent të rrezikshëm”. Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë konfirmoi lajmin se nuk ka lejuar avionin e Lavrovit të kalonte mbi hapësirën bullgare. Ajo tha se leja e dhënë nuk vlente për anëtarët e delegacionit të Lavrovit, në mesin e të cilëve ka edhe persona të sanksionuar nga BE-ja.
Pjesëmarrja e Rusisë në samitin e OSBE ka shkaktuar debate e reagime të shumta me disa që pretendojnë se ajo po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër luftës të paprovokuar të Ukrainës. Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie e kanë bojkotuar samitin. (A2 Televizion)