Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, e cilëson rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë një farsë, dhe thotë se kurrë nuk ka qenë më e shqetësuar për paqen në Ballkan se sa tani.
"I ftoj të gjithë në Bashkimin Europian të pyesin veten se si do të duket Bosnjë-Hercegovina pas votimit të rezolutës. A do të jetë një vend më paqësor, ku të ketë mirëkuptim më të madh mes boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve, apo do të bëhet më i paqëndrueshëm”, tha ajo për televizionin Pink në Serbi.
Ajo fajëson kryesisht Gjermaninë, të cilës i thotë se duhej t’i vijë turp për atë që po i bën popullit të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht serbëve.
“Kjo nuk do t’i sjellë asgjë të mirë, askujt”, ishin fjalët e Bërnabiç.
Në prag të seancës, në Beograd u shfaqën billborde me mesazhin "Ne nuk jemi një komb gjenocidal". Në to janë të theksuara stemat e Serbisë dhe të Republikës Srpska, entiteti i Bosnjë-Hercegovinës. (A2 Televizion)