Biden firmos paketën e ndihmës 61 miliardë dollarësh për Ukrainën: Do e bëjë botën më të sigurt

Nga Erjon Dervishi
24 Prill 2024, 18:49 | Bota

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka firmosur paketën e ndihmës prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainë. Paketa e miratuar më herët nga Senati priste vetëm firmën e shefit të Shtëpisë së Bardhë për të hyrë menjëherë në fuqi. Paketa kaloi në Senat me një votim dypartiak me 79 pro dhe 18 kundër. Paketa totale prej 95 miliardë dollarësh përfshin Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin. Për Biden, kjo ndihmë do ta bëjë Amerikën dhe botën më të sigurt.

“Paketa u jep mbështetje jetike partnerëve të Amerikës, në mënyrë që ata të mund të mbrohen nga kërcënimet ndaj sovranitetit të tyre. Do ta bëjë Amerikën më të sigurt, do ta bëjë botën më të sigurt. Kjo është një kujtesë e asaj që Amerika mund të bëjë kur ne bashkohemi pavarësisht dallimeve tona. Miratimi i legjislacionit i dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë presidentit rus Vladimir Putin. Ai ka dështuar përsëri. Amerika qëndron me miqtë tanë. Ne nuk i përulemi askujt, askujt, sigurisht as Vladimir Putinit", tha Joe Biden, President i SHBA.

Biden, i cili pritet të përballet me ish-presidentin republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, u kishte bërë presion ligjvënësve për gjashtë muaj që të miratonin më shumë fonde për Ukrainën, e cila ka luftuar kundër Rusisë për më shumë se dy vjet. Trump kundërshtoi ndihmën ndaj Ukrainës dhe disa republikanë në Kongres refuzuan ta mbështesin atë, duke vënë në pikëpyetje nëse Ukraina mund të rezistonte kundër ofensivës ruse.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se ishte mirënjohës ndaj ligjvënësve amerikanë për miratimin e ndihmës "jetike" për Ukrainën.

“Kjo votë përforcon rolin e Amerikës si një fener i demokracisë dhe udhëheqës i botës së lirë”, u shpreh Volodymyr Zelenskyy, President i Ukrainës.

Sakaq, administrata e Biden po përgatit një paketë tjetër ndihme ushtarake prej 1 miliard dollarësh për Ukrainën, citon Reuters. Ajo përfshin pajisjen me automjete, municione të mbrojtjes ajrore Stinger, municione shtesë për sistemet e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, municione artilerie 155 milimetrash, municione antitank dhe Javelin si dhe armë të tjera që mund të përdoren menjëherë në fushën e betejës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi