Bilanci i viktimave merr përmasa edhe më tragjike në kompleksin spitalor Al Shifa në qytetin e Gazës. Mbi 140 palestinezë kanë humbur jetën. Këtë fakt e bëri të ditur një zëdhënës i ushtrisë izraelite, duke shtuar se operacionet në terren, të nisura disa ditë më parë, janë ende në vazhdim. "Vetëm dje, tha zëdhënësi izraelit u vranë 50 persona".
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se kanë sekuestruar gjithashtu para në vlerë prej 3 milionë dollarësh - në monedhën amerikane dhe dinarë jordanez, të fshehura në spitalin Al Shifa. Para këto të destinuara për t'u përdorur nga Hamasi dhe grupet e tjera terroriste, bën me dije ushtria izraelite.
"Jemi këtu në bibliotekën e Spitalit Shifa, siç mund ta shihni këtu kemi gjetur një sasi të konsiderueshme armësh, raketash, granata, mortaja, gëzhoja, municione të konsiderueshme. Ato po përdorin ende në mënyrë cinike zonën e spitalit për qëllime terroriste. Ne do të vazhdojmë të bëjmë kërkime, të gjejmë armë dhe të shkatërrojmë armikun”, tha Daniel Hagari, Zëdhënësi Ushtrisë Izraelite.
Në një përpjekje për armëpushim në Gaza, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti të enjten në Kajro për bisedime me zyrtarët arabë. Antony Blinken tha se SHBA-ja ka paraqitur një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke bërë thirrje për një "armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pengjeve" në Rripin e Gazës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu drejtua senatorëve republikanë amerikanë të mërkurën, duke u thënë atyre se Izraeli do të vazhdojë përpjekjet e tij për të mposhtur Hamasin. Komentet e tij nënvizuan tensionet në rritje me administratën amerikane të Presidentit Joe Biden, e cila i ka kërkuar Izraelit të bëjë më shumë për të lehtësuar krizën humanitare dhe për të mbrojtur civilët. (A2 Televizion)