“Lufta Rusi-NATO, jo aq larg sa duket”, Putin sulmon Kievin gjatë natës

Nga Xhevahir Qardaku
21 Mars 2024, 10:18 | Bota

Kievi u zgjua këtë të enjte nga jehona e frikshme e sirenave të alarmit. Shpërthime të ndryshme janë regjistruar në qendër të kryeqytetit të Ukrainës, pas sulmeve të shumta të ushtrisë së Rusisë me raketa dhe dronë kamikazë. Bombardimet lanë pas shkatërrim, zjarre të mëdha dhe të paktën 10 civilë të plagosur.

Ky ishte sulmi i parë masiv në Kiev në 44 ditët e fundit, ndërsa qytetarët iu kthyen sërish qëndrave të sigurta të strehimit. Presidenti Ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke marrë shkas nga sulmet, kërkoi me urgjencë sigurimin e mbrojtjes ajrore. Gjatë një videomesazhi, ai u bën thirrje liderëve perëndimor që të punojnë për ta bërë sërish funksional rendin botëror.

“Së bashku ne duhet të mbledhim fuqinë për ta detyruar të çmendurin që t’i nënshtrohet sërish rregullave dhe t’i bëjmë sërish ligjet ndërkombëtare që të funksionojnë për të mbrojtur rendin botëror. Pa rregullat që kufizojnë fuqinë, kalohet në çmenduri dhe kjo po ndodh me Rusinë.”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Kjo vjen në një kohë, kur Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, zhvilloi një vizitë surprizë në Kiev. Pas takimit me Zelenskyn, zyrtari i Biden sqaroi se ende nuk ka ndonjë njoftim për dërgimin në Ukrainë të raketave të fuqishme me rreze të gjatë, Atacms.

Ndërkohë, ka tregues financiarë, ekonomik dhe ushtarakë nga Rusia që sugjerojnë se po përgatitet për një konflikt të shkallës së gjerë me armë konvencionale me NATO-n. Kështu shkruan Instituti amerikan për Studime të Luftës që vlerëson se lufta mes aleancës perëndimore dhe forcave të Putinit nuk është afër, por mund të zhvillohet më përpara se sa parashikohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos