Bota e tronditur nga masakra, 117 të vrarë teksa prisnin ndihmat, OKB: Hetim i pavarur

Nga Rosalba Bejdo
1 Mars 2024, 10:20 | Bota

Imazhet e realizuara nga një dron, duken ato të një filmi dramatik por në fakt është realiteti i kaosit dhe dëshpërimit në veri të Gazës. Me mijëra palestinezë ndjekin autokolonën me ndihma, rrëzojnë kamionët, përpiqen ti ndalin dhe ti devijojnë.

Sipas Izraelit, një grup palestinezësh i është afruar më pas forcave të mbrojtjes së Telavivit, të cilët hapën zjarr për të shpërndarë turmën. të paktën 112 persona mbetën të vrarë, dhe mbi 700 të tjerë u plagosën në atë që palestinezët e quajnë masakër. Pamjet tronditëse, që tregonin trupat e ngarkuar më vonë nëpër kamionët e ndihmave apo karroca, shokuan botën.

Megjithatë Izraeli mohon pretendimet se ka shkaktuar kasaphanën, duke thënë se kishte qëlluar vetëm të shtëna paralajmëruese dhe se viktimat ishin shtypur ose përplasur nga kamionët.

OKB dënoi ngjarjen, dhe foli për mundësinë e një hetimi të pavarur.

“Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres dënon incidentin ku mbi 100 persona vranë dhe qindra të tjerë u plagosën teksa kërkonin dëshpërimisht ndihma. Nëse janë të vrarë nga zjarri izraelit ose të shtypur nga turma apo kamionët bëhet fjalë për akte dhunë të lidhura me konfliktin”.

Këshilli i sigurimit organizoi një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar mbi ngjarjen, gjatë së cilit Algjeria propozoi një draft deklaratë që fajësonte izraelitët për hapjen e zjarrit. 14 nga 15 anëtarët e këshilli e mbështetën, me SHBA që e bllokoi.

Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi se këshilltarët e tij do të analizojnë versionet kontradiktore të Izraelit dhe Hamasit, ndërsa pranon se armëpushimi i paralajmëruar ka pak gjasë të nisë të hënën, siç kishte shpresuar. Departamenti i Shtetit i kërkon Izraelit të japë përgjigje mbi atë që ndodhi, dhe pretendon që të tutelojë shpërndarjen e ndihmave.  

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli