"Society of the Snow", është filmi që kryeson listën TOP 10 si filmat më të parë në Netflix, si dhe i nominuar për çmimet Oscar. Filmi flet për një ngjarje reale, tragjedinë në Ande n tetor të 1972, ku të mbijetuarit tragjedisë u desh të mbanin frymën gjallë duke ngrënë shokët që humbën jetën.
Në një rrëfim ekskluziv për A2 CNN Carlos Paez, i mbijetuar i tragjedisë që në film luan rolin e të atit thotë se emocionohet teksa dëgjon veten duke dhënë listën e të mbijetuarve të tragjedisë.
"Për mua, të përfaqësoja babain tim ishte një moment sinqerisht i vështirë jo vetëm sepse nuk jam aktor, por edhe për faktin që duhet të futesha plotësisht në historinë e Andeve dhe mbi të gjitha më duhej të futesha në figurën e babait, sepse babai im ishte një personazh shumë i rëndësishëm, një piktor dhe si personalitet është një nga më të njohur në Uruguai por edhe sepse mori pjesë në një kërkim të pazakontë për djalin e tij për 70 ditë. Ai kurrë nuk u dorëzua, ai bëri këtë kërkim të marrë dhe për fat të mirë, gjërat më në fund ndodhën. Pasi e përsërita shumë herë listën, më në fund Bayona , me të cilën u grinda shumë ishte i kënaqur, sepse unë nuk jam aktor, të them të drejtën, kështu që mendoj se doli mirë. Më emocionon shumë të dëgjoj veten duke dhënë listën e të mbijetuarve sepse po shënoj kush është i gjallë por po shënoj edhe kush ka vdekur, thotë Paez.
Në kujtimet e tij, Paez thotë se e ka pasur të vështirë rikthimin pas shpëtimit.
"Pjesa më e vështirë për mua pas shpëtimit ishte rikthimi në shoqëri sepse nuk mund të festonim. Montevideo është shumë i vogël, të gjithë e njohim njëri-tjetrin dhe unë nuk mund të buzëqeshja kur nënat e miqve të mi më të mirë qanin. Shumë shumë e vështirë për ne, shumë ambivalente por sigurisht ishim të lumtur që ishim gjallë dhe u kthyem në shtëpi pranë familjes sonë", vijon ai.
Alvaro Mangino, një tjetër i mbijetuar i tragjedisë rrëfen për A2 CNN se ky është filmi më i mirë i relizuar për ngjarjen.
"Filmi është më i miri që është realizuar deri më sot për sa i përket ndjeshmërisë dhe asaj që përfaqëson realitetin tonë gjatë atyre 72 ditëve. Në këtë kuptim, është më i miri që është bërë deri më sot dhe kjo është ndoshta një nga arsyet që i transmetoi publikut dhe pati ketë sukses. Mendoj se ka edhe një hijeshi tek Bayona që e bëri Numën përgjegjës për të na përfaqësuar në një farë mënyre, në mënyrë që të shihej i gjithë ekipi dhe jo vetëm një pjesë e tij, siç ka qenë rasti në produksionet e tjera dhe në intervistat e tjera që janë bërë, që janë gjithmonë të njëjtit,ata që janë më mediatikët dhe janë ata që na përfaqësojnë gjatë gjithë kësaj kohe. Nuk kam asnjë kritikë për këtë, përkundrazi kam mirënjohje për gjithçka që kanë bërë, por mendoj se në këtë rast ajo që arriti Bayona ishte se përmes historisë së Numës tregoi pak për të gjithë ne dhe jo vetëm për ata që ishin më mediatikët në gjithë këtë histori", është shprehur Mangino.
Nuk ka munguar edhe një mesazh ekskluziv për shqiptarët:
"Popullit të Shqipërisë që nuk e njoh, i dërgoj një përqafim të madh me gjithë zemër, këtij vendi me zemër të madhe. Është mirë që na njohin për Andet dhe për futbollin (kollitet) është disi e çuditshme, por ne kishim një ministër Antonio Marcader, ishte Ministër i Kulturës për shumë vite këtu në Uruguaj dhe ai gjithmonë thoshte se dy gjërat epike për Uruguain ishin, njëra, fitimi i Kupës së Botës në Brazil në 1950, që ishte e pabesueshme, dhe tjetra, mbijetesa jonë në Ande. Këto janë dy faktet që e bëjnë vendin tonë të ndryshëm nga vendet e tjera, ndaj një përqafim i madh për Shqipërinë dhe shpresoj të kënaqeni me atë që po ju dërgoj", përfundon ai. (A2 Televizion)