Ndërsa paqja pret në anën tjetër të kufirit, Izraeli vazhdon të bombardojë Rripin e Gazës. Palestinezët e zhvendosur vajtuan për vdekjen e të dashurve të tyre pasi ushtria e Tel Avivit lëshoi sulme ajrore në drejtim të jugut të enklavës.
Izraeli pretendon se pika kufitare me Egjiptin, Rafah, është shndërruar në një bastion i Hamasit, por organizatat humanitare ngrenë alarmin duke konfirmuar se ajo zonë është e populluar nga civilë. Sulmi ndodhi në një kohë kur në Izrael po qëndron sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, i cili po ndërmjetëson për një plan paqeje. Ai lëshoi kritika në drejtim të qasjes aktuale të kryeministrit Benjamin Netanjahu duke nënvizuar se sulmet e Hamasit më 7 tetor nuk i japin asnjë të drejtë Izraelit që të bëjë akte çnjerzore kundër të tjerëve.
“Një ekip i Kombeve të Bashkuara ka nisur misionin në veri për të vlerësuar kushtet për civilët, të cilët janë ende atje, gjithashtu edhe për të parë se çfarë duhet bërë për të lejuar palestinezët e zhvendosur që të kthehen në shtëpitë e tyre. Ia thashë dhe kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë izraelitë se bilanci ditor i vdekjeve ndër civilë të pafajshëm, që shkakton operacioni ushtarak, mbetet shumë i lartë”, tha Antony Blinken, Sekretar Shteti i SHBA.
Pas takimit me presidentin Abu Mazë, kryediplomati amerikan shprehu mbështetjen e vendit të tij për krijimin e një shtetit të palestinës. Ish sekretarja e shtetit, Hillary Clinton, kritikon ashpër menaxhimin e luftës me Hamasin nga ana e kryeministrit. “Netanjahu duhet të largohet, nuk është një lider I besueshëm”, u shpreh ajo duke e fajësuar për nisjen e konfliktit dhe për faktin që po bëhet pengesë për armëpushimin. Ndërkohë, negociatat në Egjipt vazhdojnë, pavarësisht se Netanjahu tha jo për kushtet e propozuara nga Hamasi. Udhëheqësit e këtij grupimi, përfshirë liderin Hanije, gjenden në Kajro për të shqyrtuar një rrugë drejt paqes. Sakaq, Izraeli ka liruar 71 palestinezë të arrestuar në Gaza. (A2 Televizion)