CNN udhëton brenda Haitit, kryeqyteti i pushtuar nga bandat

Nga A2 CNN
16 Mars 2024, 09:41 | Bota

CNN udhëton brenda Haitit, kryeqyteti i pushtuar nga bandat

Në një qytet të “pushtuar” nga bandat, të gjithë vërejnë zhurmën e një helikopteri që lëvizë në ajër, një shenjë e shkurtër që dikush me shumë fat ka mundur të largohet nga Port-au-Prince.

CNN ishte në gjendje të zbarkonte në kryeqytetin Haitian me helikopter pas ditëve të tëra planesh të mirëmëneduara, që kërkonin një angazhim të detajuar të sigurisë dhe shumë shtresa të miratimit diplomatik. Që nga vizita e mëparshme e CNN në Haiti  muajin e kaluar, situata është përkeqësuar ndjeshëm. Kryeministri i rrethuar, Ariel Henry njoftoi vendimin e tij për t'u larguar, por nuk është e qartë se kush do ta mbushë zbrazëtinë dhe kur. Një qeveri tranzitore e premtuar ende nuk është realizuar dhe planet për një forcë stabilizuese të udhëhequr nga Kenia janë në harresë.

Njerëzit e zakonshëm largohen nga shtëpitë e tyre në Port-au-Prince shumë rralë, ku betejat e përditshme midis policisë dhe bandave dërgojnë shtëllunga tymi në ajër, të shtëna armësh që jehojnë nëpër rrugë të qeta. Bulevardet që zakonisht do të ishin të mbushura me makina dhe shitës janë bosh, taksitë rrallë mbushen.

CNN udhëton brenda Haitit, kryeqyteti i pushtuar nga bandat
Port-au-Prince, foto e shkrepur nga helikopteri

Kanë mbetur pak vende për të shkuar. Të gjitha rrugët që të çojnë jashtë qytetit janë të bllokuara nga bandat, aksesi në port dhe aeroporti ndërkombëtar i qytetit është mbyllur, muret e tij janë të mbushura me vrima plumbash. Asgjë nuk po hyn nga jashtë; dyqaneve ushqimore të qytetit po u mbarojnë ushqimet. Pompat e benzinës janë pa karburant. Spitalet kanë mungesë gjaku.

Kombet e Bashkuara po punojnë për të krijuar një urë ajrore midis Port-au-Prince dhe Santo Domingo, në Republikën Domenikane fqinje, që do të përcillte furnizime jetike në qytet. Mirëpo,  tani për tani, e vetmja gjë që vjen në Port-au-Prince janë helikopterët privatë të evakuimit të shtresave të pasura – një kujtesë e hidhur e pabarazisë që ka pllakosur Haitin për dekada, ku shumica e njerëzve jetojnë me më pak se 4 dollarë në ditë.

Qindra njerëz po vendosin emrat e tyre në lista për të ikur nga Port-au-Prince, thanë disa pilotë për CNN. Për të marrë një fluturim privat, një vend i vetëm mund të kushtojë aktualisht mbi 10,000 dollarë.

Helikopterët mund të dëgjohen rregullisht në mbrëmje dhe herët në mëngjes, thonë banorët në Port-au-Prince. Ato tregojnë se janë në gjendje që të bëjnë dallimin midis helikopterëve të vegjël privatë që vijnë nga Republika Domenikane dhe helikopterëve më të mëdhenj ushtarakë që besohet se përdoren nga disa misione diplomatike, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, asnjë shumë parash apo planifikimi nuk mund të fshijë rrezikun e fluturimit nëpër një zonë lufte dhe pilotët thonë se janë gjithnjë e më të kujdesshëm për të ndërmarrë fluturime evakuimi. Nga një ditë në tjetrën, nuk është kurrë e qartë se kur do të jetë i mundur fluturimi tjetër.

Dy pilotë i thanë CNN se kishin dëgjuar të shtëna ndërsa po kryenin një evakuim. “Kur dëgjon zhurmën e plumbave që kalojnë, nuk dëshiron ta bësh më,” tha njëri.

CNN udhëton brenda Haitit, kryeqyteti i pushtuar nga bandat
Port-au-Prince, Haiti, më 15 mars 2024

80 për qind e Port-au-Prince aktualisht kontrollohet nga bandat, sipas vlerësimeve të OKB-së. Haiti u fut në krizë në fillim të marsit, pasi bandat kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Henry dhe qeverisë së tij. Për herë të parë, sipas burimeve të sigurisë, bandat dhe koalicionet rivale filluan të bëjnë kërdi të koordinuar.

Policia kombëtare e Haitit është përballur me guxim, por me burime të kufizuara. Ata nuk mund të jenë kudo në të njëjtën kohë - dhe vetë janë shpesh objektiva të sulmeve, me disa stacione policie të sulmuara ose djegur në dy javët e fundit.

Kriza aktuale e sigurisë e Haitit është më e gjymtuara me të cilën është përballur në vite – një përshkallëzim dikur i paimagjinueshëm për një vend që ka vuajtur prej kohësh dhunë kronike, kriza politike dhe thatësirë, duke lënë rreth 5.5 milionë haitianë – rreth gjysma e popullsisë – në nevojë për ndihmë humanitare. Henry erdhi në pushtet i pazgjedhur në vitin 2021 pas vrasjes së presidentit të atëhershëm të Haitit, Jovenel Moïse. Të hënën, mes presionit të madh për të bërë diçka për të ndalur dhunën në Port-au-Prince, Henry njoftoi dorëheqjen e tij. Ai do t'ia dorëzonte pushtetin një këshilli kalimtar, por deri në fund të javës, këshilli nuk ishte formuar ende.

CNN udhëton brenda Haitit, kryeqyteti i pushtuar nga bandat
Ariel Henry, kryeministri i dorëhequr

Një shpresë e fundit për Port-au-Prince mund të jetë dislokimi i trupave të huaja për të përforcuar policinë dhe për t'u përballur me bandat.

Rivendosja e paqes në rrugë do të ishte hapi i parë për të ndihmuar Haitin që të mbante zgjedhjet dhe të kishte përfundimisht një qeveri të re.

 

 

A2 CNN Livestream

Dita jonë