Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, zhvilluan në Berlin një takim trepalësh për të diskutuar politikën e ndihmave për Ukrainën. Takimi i tyre u zhvillua në një kohë kur janë rritur dallimet mes Francës dhe Gjermanisë për qasjen ndaj Ukrainës.
Në konferencën e përbashkët, Scholz, Macron dhe kryeministri polak Donald Tusk riafirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën, trupat e së cilës përballen me betejat më të vështira që nga ditët e para të pushtimit rus.
“Ne qëndrojmë pranë Ukrainës. Qëllimi ynë i përbashkët është dhe mbetet të sigurojmë që Ukraina të mund të mbrohet efektivisht kundër agresionit rus. Ne do të përdorim fitimet e nga asetet ruse të ngrira në Evropë për të ndihmuar në financimin e blerjes së armëve për Ukrainën", tha Olaf Scholz, Kancelar i Gjermanisë.
Macron përsëriti paralajmërimin e tij se nuk ishte vetëm siguria e Ukrainës në rrezik, por e gjithë Europës.
“Është e ardhmja jonë, siguria jonë që është në rrezik në Ukrainë. Ne po e bëjmë këtë nga solidariteti për popullin e Ukrainës, integriteti territorial i të cilit po kërcënohet, ne po e bëjmë këtë për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare dhe sepse siguria e evropianëve dhe e jona është në rrezik”, deklaroi Macron.
Macron shtoi se tre liderët kanë rënë dakord të mos nisnin kurrë një luftë me Rusinë, deklartë e cila eliminon plotësisht mundësinë e dërgimit të trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, gjë që ka krijuar një ftohje midis Berlinit dhe Parisit.
Donald Tusk tha se takimi i së premtes tregoi se "thashethemet dashakeqe për dallime midis kryeqyteteve evropiane janë të ekzagjeruar". Tusk, i cili po kërkon të rigjallërojë Trekëndëshin e Vajmarit, tha se Macron dhe Scholz e kishin pranuar ftesën e tij për t'u takuar në fillim të verës për të paraqitur planet e tyre të ardhshme të përbashkëta. (A2 Televizion)