Dhuna ndaj tifozëve izraelitë në Amsterdam, kryeministri holandez: U ndjeva i nerveritur

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2024, 10:12 | Bota

Kryeministri holandez Dick Schoff tha sot se dhuna ndaj qytetarëve izraelitë pas një ndeshje futbolli në Amsterdam ishte e papranueshme dhe shtoi se të gjithë autorët duhet të ndiqen penalisht.

“I pashë lajmet nga Amsterdami me neveri”, shkroi Schoff në platformën ‘X’, duke shtuar se kishte kontaktuar me homologun e tij izraelit Benjamin Netanjahu për incidentin në fjalë.

Sakaq, Netanjahu ka urdhëruar dërgimin e menjëhershëm të dy avionëve të shpëtimit në Amsterdam pas "incidentit të dhunshëm" që shoqëroi përfundimin e ndeshjes së futbollit në Ligën e Evropës.

Ministria e Sigurisë Kombëtare e Izraelit u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve izraelitë në Amsterdam që të qëndrojnë në dhomat e tyre të hotelit pas sulmeve.

“Tifozët që shkuan për të parë një ndeshje futbolli, u përballën me antisemitizmin  dhe u sulmuan me brutalitet të paimagjinueshëm vetëm sepse ishin hebrenj dhe izraelitë”, tha ministri izraelit i Sigurisë Itamar Ben-Gvir.

Ndërkohë, policia lokale tha se 57 persona u arrestuan pas ndeshjes, gjatë së cilës protestuesit pro-palestinezë u përpoqën të arrinin në stadiumin “Johan Cruyff”, pavarësisht se autoritetet e qytetit i ndaluan ata të protestonin.

Policia tha se tifozët dolën nga stadiumi pa incidente, por disa përplasje u raportuan në qendër të qytetit gjatë natës. Forcat e Armatosura izraelite njoftuan sot se po koordinojnë një mision shpëtimi me qeverinë holandeze pas ndeshjes së futbollit, në të cilën Ajax Amsterdam mposhti Maccabi Tel Aviv 5-0.

“Gjatë misionit do të përdoren avionë transporti dhe do të përfshihen edhe ekipe mjekësore e të shpëtimit”, tha ushtria izraelite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos