Dronët ukrainas mësyjnë Rusinë, sulmohet rafineria e Rosneft, Moska lëshon raketat mbi pallate

Nga Rosalba Bejdo
13 Mars 2024, 15:17 | Bota

Një tjetër valë sulmesh me dronë ukrainas goditi rajone rreth Rusisë të mërkurën, duke shkaktuar zjarr në rafinerinë më të madhe të naftës Rosneft, në atë që sipas presidentit Putin ishte një përpjekje për të penguar zgjedhjet presidenciale.

Një ditë pasi dëmtoi seriozisht rafinerinë Lukoil, dronët e Kievit shënjestruan këtë të mërkurë rafinerinë e Ryazan të Rosneft, e 7-ta më e madhe në Rusi, 180 km larg Moskës. Mediat ruse thanë se rreth 60 dronë ishin shkatërruar mbi territorin sovran të Rusisë, përgjatë disa orëve.

Sipas guvernatorit të rajonit të Ryazan në kufi me Moskën, disa persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e zjarrit. Video të paverifikuara në rrjetet sociale treguan kolona të mëdha tymi të zi që ngriheshin mbi strukturën ku rafinohet rreth 12.7 milion ton naftë në vit, apo 4.6 përqind e totalit rus.

Siç bëhet e ditur një dron u shkatërruar nga forcat ajrore teksa i afrohej rafinerisë së Kirishi, e dyta më e madhja në Rusi. Mediat në vend flasin për rritje të sigurisë rreth rafinerive të naftës, një burim kyç i të ardhurave të Moskës.

Sakaq, më shumë se 30 dronë u shkatërruan në ajër mbi rajonin e Voronezh, që kufizohet me Ukrainën.  Të martën raketat ruse ranë mbi dy blloqe apartamentesh në qytetin qendror të Krivi Rih në Ukrainë, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur të paktën 38 të tjerë. Mes të plagosurve ishin edhe 10 fëmijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos