Presidenti Joe Biden mbajti, mbrëmjen e kaluar, fjalimin mbi gjendjen e Kombit, duke e vënë theksin te puna e tij mbi çështjet ekonomike për klasën e mesme.
Ai kërkoi të bindte votuesit t’i jepnin atij një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti vuri në pah qëndrimet e tij për taksat, politikën e jashtme dhe të drejtat riprodhuese.
“Erdha në detyrë i vendosur për të kapërcyer një nga periudhat më të vështira në historinë e vendit tonë. Dhe ne e arritëm këtë. Nuk është lajm i ditës, por në mijëra qytete dhe qyteza populli amerikan po shënon rimëkëmbjen më të madhe në histori. Rikthimi i Amerikës është ndërtimi i një të ardhmeje të mundësive amerikane, ndërtimi i një ekonomie nga poshtë lart, jo nga lart poshtë, duke investuar në të gjithë Amerikën për t'u siguruar që të gjithë të kenë mundësi të barabarta dhe askush të mos ngelet mbrapa”, tha Biden.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje republikanëve që nuk mbështesin një projektligj dypartiak të sigurisë së kufirit dhe kritikoi ish-presidentin Donald Trump, pa e përmendur emrin e tij, për "përkuljen" ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
“Tani paraardhësi im, një ish-president republikan, i thotë Putinit, po e citoj: "Bëj çfarë të duash". Unë mendoj se kjo është e rrezikshme dhe e papranueshme. Mesazhi im për presidentin Putin, të cilin e njoh për një kohë të gjatë, është i thjeshtë. Ne nuk do të largohemi. Ne nuk do të përkulemi", tha Biden.
Lidhur me situatën humanitare në Gazë, Presidenti Biden i bëri thirrje Izraelit që të mos e konsiderojë çështje dytësore dërgimin e ndihmave për civilët e bllokuar nga luftimet mes Hamasit dhe ushtrisë izraelite.
"Mbrojtja dhe shpëtimi i civilëve të pafajshëm duhet të jetë një përparësi. Ndërsa shikojmë nga e ardhmja, e vetmja zgjidhje reale për situatën është zgjidhja me dy shtete”, tha ai.
Përpara fjalimit të Bidenit, demonstruesit u mblodhën jashtë Shtëpisë së Bardhë për të bërë thirrje për një armëpushim në Gaza.
(A2 Televizion)