Sulmi në Moskë, Rusia: Terroristët kishin kontakte në Kiev

Nga Rosalba Bejdo
23 Mars 2024, 11:17 | Bota

Rusia është në shok, pas masakrës në një sallë koncertesh pranë Moskës ku sipas të dhënave mbetën të vrarë të paktën 93 persona mes të cilëve 3 fëmijë e u plagosën mbi 100 të tjerë. Kremlini bëri të ditur se 11 vetë janë vënë në pranga, përfshirë 4 agresorë të dyshuar, për sulmin me armë zjarri mbrëmjen e së premtes.

Persona të armatosur me armë sulmi, dhe te veshur me uniforma ushtarake, qëlluan pa mëshirë ndaj spektatorëve në koncertin ku duhej të performonte një grupi I muzikës rok I kohës sovjetike. Video tronditëse, tregojnë momentin kur qytetarët që ishin duke u ulur nëpër vende, nisin të vrapojnë të tmerruar drejt daljeve, mes krismave të vazhdueshme dhe britmave. Imazhe të tjera shfaqin agresorët teksa qëllojnë ndaj një grupi njerëzish, dhe viktima të shtrirë në pellgje gjaku…

Para se të largoheshin me një automjet të tipit Renault, ata lëshuan pas granata dhe lëndë plasëse, duke shkaktuar zjarr në ndërtesë… Ligjvënësi rus Alexander Khinshtein tha se automjeti I agresorëve, u pikas nga policia në rajonin e Bryansk rreth 340 km në jugperëndim të Moskës mbrëmjen e së premtes dhe nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.

Ai bëri të ditur se 2 prej autorëve të dyshuar u arrestuan pas ndjekjes së automjetit ndërsa dy të tjerë u kapën më vonë, pasi u arratisën në një pyll. Sipas deputetit, një pistoletë, një karikator për armë sulmi dhe pasaporta nga Taxhikistani ishin gjetur në automjet.

Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit më vdekjeprurës në Rusi që prej masakrës në shkollën Beslan, në vitin 2004. Shërbimet ruse të sigurisë pretendojnë se autorët ishin përpjekur të arratiseshin në Ukrainë ku sipas tyre kishin kontakte. Kievi mohoi menjëherë përfshirjen në sulm.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu