Kryeministri i Perusë, Alberto Otárola, dha dorëheqjen pas akuzave se u përpoq të përdorte ndikimin e tij për të ndihmuar një grua të fitonte kontrata qeveritare fitimprurëse.
Skandali u përshkallëzua, javën e kaluar, kur një kanal televiziv peruan transmetoi një videoregjistrim të bisedave mes tyre.
Kryeministri Otárola ka mohuar të gjitha akuzat, teksa një hetim zyrtar ka nisur për çështjen.
Sipas programit Panorama, i cili transmetoi për herë të parë përgjimet gjatë fundjavës, gruaja me të cilën dëgjohet duke folur Otárola është Yaziré Pinedo, 25 vjeç.
Pinedo thuhet se fitoi dy kontrata për punë në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2023, që i dhanë asaj gjithsej 14 mijë dollarë.
Otarola ishte ministër i Mbrojtjes i Perusë deri në fund të vitit 2022, kur Presidentja Dina Boluarte mori detyrën dhe ai u promovua. Në videoregjistrime, Otárola mund të dëgjohet duke deklaruar dashurinë e tij për gruan dhe duke i kërkuar asaj t'i dërgojë CV-në.
Të dy kanë thënë se regjistrimet audio ishin nga bisedat në vitin 2021, përpara se Otarola të bëhej ministër i Kabinetit. (A2 Televizion)