Elektorati në Shtetet e Bashkuara do të votojë në 15 shtete federale, në atë që quhet “Super e Marta” e zgjedhjeve paraprake presidenciale.
Bëhet fjalë për grupin më të madh të shteteve, ku në të dyja kampet votohet në të njëjtën ditë dhe ku përfshihen edhe dy ndër shtetet më të populluara, Teksasi dhe Kalifornia. Zgjedhjet në këto shtete konsiderohen si të rëndësishme për qartësimin e kandidatëve që do të garojnë për zgjedhjet presidencialet të 5 Nëntorit.
Ato kanë 30% të delegatëve demokratë dhe 36% të republikanëve. Trump do të duhet të fitojë 1215 nga 2429 delegatë, ndërsa presidentit Biden i duhen 1968 nga 3934 delegatë për t’u shpallur zyrtarisht kandidatë nga partitë respektive.
Në kampin e Republikanëve analistët nuk presin surpriza, pasi Donald Trump ka përballë vetëm një kandidate si Nikki Haley, e cila të dielën korri fitoren e vetme përballë tij në Uashington, por ka arritur të grumbullojë gati 6 herë më pak delegatë për në konventën kombëtare të korrikut ku zgjidhet kandidati republikan.
Edhe tek demokratët, Joe Biden është në rrugën e sigurtë të rikonfirmimit.
Po ashtu, Trump shkon në zgjedhjet e “Super të Martës” pas fitores së një beteje të rëndësishme kundër përjashtimit nga pjesëmarrja në disa shtete.
Rezultatet nga shtetet që kanë votuar, tregojnë se Trump po humbet njëfarë mbështetjeje në mesin e votuesve më të rinj, por duket se ka mbajtur mbështetjen e shumicës së femrave republikane. (A2 Televizion)