Kina me sytë nga zgjedhjet e nëntorit, frika nga rikthimi i Trump dhe tarifat shtesë mbi mallrat kineze

Nga A2 CNN
16 Mars 2024, 18:01 | Bota

Në kryeqytetin kinez, Pekin, dëgjon kudo e në çdo orë, njerëz që flasin për Donald Trump.

Publikisht, qeveria kineze, duket se luan rolin e neutralit, me kritika për marrëdhëniet dhe politikën SHBA-Kinë, si në kohën e ish-presidentit Trump, ashtu edhe me presidentin aktual Joe Biden.

Media shtetërore, përcjell mesazhe, edhe therëse për atë që e quan rrëmuja e demokracisë amerikane, mes kaosit politik e ndasive të thella. Në rrjetet sociale kineze gjen edhe komente të tipit: “Këto dy të moshuarit janë gjithçka ju ka mbetur?”. “I vjetri kundër të vjetrit. Të dy janë të ashpër ndaj Kinës”. “Ne kemi nevojë të shpejtojnë në përgatitjet për betejë” apo edhe parashikime të tipit “Trump do rikthehet”.

E mbani mend 6 vjet më parë, kur në atë kohë, Presidenti Trump udhëtoi në Pekin? Lideri kinez Xi Jinping e mirëpriti siç duhej, me një super banket shtetëror, brenda qytetit të ndaluar, për herë të parë për çdo president amerikan, që nga viti 1949, kur u themelua Kina Komuniste.

Drejtuesit e Kinës, historikisht, kanë preferuar liderë që mund t’i manipulojnë. Përmes marrëdhënieve personale apo edhe përmes lajkave. Në atë kohë, egoja e Trump dhe diplomacia e tij e spikatur, dukeshin perfekte për marrëdhënien me Kinën. 

Më pas erdhi lufta tregtare. Tarifat e Trump dhe barrierat tregtare. Nga ajo kohë, të ruajtura edhe nga Biden, që duket se ende luftojnë ekonominë e Pekinit. Tani, Trump thotë, se tarifat amerikane për mallrat kineze, do prekin qiellin, deri në 60% më të larta, nëse ai fiton një mandat të dytë.

Kryediplomati kinez, Vang Yi, mes shqetësimesh thotë se këto tarifa do prekin tregtinë dhe teknologjinë kineze, duke paralajmëruar nivele hutuese të absurditetit të padepërtueshëm.

Por ekspertët thonë se nga disa aspekte të politikës së jashtme të Trump, përfiton strategjikisht Kina. Këtu spikasin dyshimet e tij për aleancat tradicionale amerikane si p.sh me NATO-n, adhurimi i tij për burrat të fortë si presidenti rus Vladimir Putin apo lideri koreano verior Kim Jong Un.

Dhe kjo qasje, u shfaq dukshëm këtë javë, me Trump e partinë e tij që dolën kundër mbylljes së TikTok, duke kundërshtuar ligjin bipartisan, që praktikisht aplikacionin kinez e nxjerr jashtë loje në SHBA. 

Vetë Trump u përpoq ta bllokojë TikTok në 2020, duke cituar në atë kohë kërcënim të sigurisë kombëtare. Pika të tilla kthese si kjo, mund të lëkundin vazhdimisht dhe më hapur, marrëdhënien e paqëndrueshme SHBA-Kinë.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos