“Të marshojmë në ‘Malin e Tempullit’ në Jeruzalem”. Është kjo thirrja që Hamasi u bën palestinezëve në Bregun Perëndimor. Në një postim në Telegram - duke iu referuar palestinezëve të vrarë nga Izraeli - fraksioni islamik i Hamasit përshëndeti dëshmorët e Jeruzalemit, Jeninit dhe Betlehemit në "ditën e tretë të Ramazanit" dhe foli për sulmin e tyre ku u plagosën dy izraelitë. Këto sulme nuk e kanë ndalur makinerën luftarake izraelite të cilët kanë vijuar me sulmet në Bregun Perëndimor duke shkaktuar vdekjen e tre palestinezë.
“Ne ishim ulur aty, kishim iftarin, dhe pasi u thashë “shikoni diçka po vjen drejt nesh”, ikëm, pastaj një snajper filloi të gjuante mbi ne. Disa u zvarritën e disa ikën. Ata që ikën u plagosën dhe ata që u zvarritën shpëtuan, ata gjuanin fort. Dy dëshmorët u vranë këtu, u zvarritën te porta e urgjencës këtu”, tha Jousef Nimer, palestinez i plagosur.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu nuk tërhiqet nga plani i tij për shkatërrimin e Hamasit.
"Për të fituar këtë luftë, ne duhet të shkatërrojmë batalionet e mbetura të Hamasit në Rafah. Nëse jo, Hamasi do të rigrupohet, riarmatoset dhe ripushtojë Gazën, dhe pastaj do të kthehemi në fillim. Ne do ta përfundojmë punën në Rafah duke i mundësuar popullatës civile të dalë nga rreziku. Ne kemi marrë masa për të minimizuar viktimat civile që asnjë ushtri tjetër nuk i ka marrë në histori”, deklaroi Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit
Këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Xhek Sullivan u shpreh se Presidenti Joe Biden nuk do të përkrahë një operacion ushtarak izraelit në Rafah, nëse nuk mbrohen civilët. Zërat që po i kërkojnë Izraelit të mos futet në Rafah janë shtuar. Rafah është një nga vendet e fundit në Rripin e Gazës që kanë mbetur relativisht të sigurta dhe ku kanë gjetur strehim 1.5milionë njerëz.
Izraeli gjithashtu ka shkëmbyer sulme edhe me Hezbollahun, e lidhur me Iranin përtej kufirit me Libanin duke shkaktuar disa të plagosur. Dhuna në Bregun Perëndimor, e cila tashmë ishte në rritje për më shumë se një vit, është përkeqësuar që nga fillimi i luftës në Gaza, ku autoritetet shëndetësore thanë se dhjetëra të tjerë ishin vrarë në sulmet e fundit ajrore izraelite. (A2 Televizion)