Ekipet e shpëtimit në Venezuelë vijojnë garën me kohën për të gjetur të mbijetuar nën rrënojat e dy tërmeteve të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që goditën vendin të mërkurën.
Bilanci i viktimave është rritur në afro 1 450 persona, ndërsa mbi 3 000 janë plagosur. Më shumë se 12 mijë banorë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, ndërsa qindra ndërtesa janë shembur, veçanërisht në shtetin bregdetar të La Guairas, zona më e goditur nga katastrofa, shkruan A2.
Autoritetet bëjnë të ditur se operacionet e kërkim-shpëtimit nuk do të ndalen, pasi ende ka shenja jete nën rrënoja. Deri tani janë shpëtuar dhjetëra persona, përfshirë disa fëmijë. Mes rasteve më prekëse është shpëtimi i një babai dhe djalit të tij, 4 ditë pas tërmeteve vdekjeprurëse, dhe po ashtu një foshnje dhe 2 djem 11-vjeçarë të nxjerrë të gjallë nga ekipet ndërkombëtare të shpëtimit.
Mbi 2 600 efektivë nga vende të ndryshme janë angazhuar në terren, të ndihmuar nga qen të trajnuar dhe pajisje speciale për zbulimin e personave të bllokuar. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se mundësitë për të gjetur të mbijetuar zvogëlohen ndjeshëm pas 72 orëve të para nga goditja e tërmeteve.
Sipas vlerësimeve paraprake të Shërbimit Gjeologjik Amerikan, numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.
Një platformë online me persona të zhdukur si pasojë e tragjedisë ka më shumëse 46 mijë emra në të. Ndërkohë, mijëra familje vazhdojnë të jetojnë në kampe të përkohshme, ndërsa ndihmat ndërkombëtare po mbërrijnë në zonat e prekura.
Edhe Papa Leoni ka shprehur solidaritet me popullin venezuelian, duke falënderuar ekipet e shpëtimit për punën e tyre në kushte tepër të vështira. (A2 Televizion)