"Më vjen keq për Ukrainën", Bolton: Trump do vetëm të mbyllë luftën, pavarësisht kushteve

Nga A2 CNN
18 Janar 2025, 15:28 | Bota

Për Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, lufta në Ukrainë nuk ka interes, mjafton që ajo të mbyllet sa më shpejt.

Kështu është shprehur, ish Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA dhe krahu i djathtë i Trump gjatë presidencës së parë, John Bolton, në një intervistë për median franceze, Francë 24.

“Presidenti i zgjedhur i SHBA-së do që lufta e Ukrainës të hiqet nga tavolina; ai do që edhe lufta në Lindjen e Mesme të hiqet nga tavolina. Atij nuk i intereson se si përfundojnë luftërat, për sa kohë që ai nuk duhet të shqetësohet për to. Dhe unë mendoj se ky është një lajm shumë i keq për Ukrainën. Jam shumë i shqetësuar për drejtimin që do të marrë Trump”, tha Bolton, shkruan A2 CNN.

Ai shtoi se Rusia mund të jetë e interesuar për arritjen e një marrëveshjeje për një armëpushim dhe përcaktimin e vijës kufitare bazuar në situatën aktuale në front. “Sa më gjatë të zgjasë armëpushimi, aq më e madhe është mundësia që kjo linjë të bëhet kufiri i ri midis Ukrainës dhe Rusisë”, tha ish-këshilltari i Trump.

Trump më parë shprehu dëshirën e tij për të diskutuar krizën ukrainase me presidentin rus Vladimir Putin. I dërguari i posaçëm për Ukrainën në administratën e liderit të zgjedhur amerikan Keith Kellogg tha se do të dëshironte të zbatonte afatin prej 100 ditësh për zgjidhjen e konfliktit.

I pyetur për shqetësimin e tij më të madh për mandatin e dytë të Trump, Bolton tha se beson se "çështja që nuk po merr vëmendje të mjaftueshme ndërkombëtarisht është çështja e tarifave ". Ai shpjegoi: Trump "shpreson të rrisë të ardhura të konsiderueshme nga tarifat më të larta . Dhe çdo tregues është se Bashkimi Evropian, Kina, Kanadaja, Meksika, të cilët janë dy partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë, do të hakmerren". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos