Sondazh: Cilat janë faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e një fëmije?
  • Edukimi shkollor 11%
  • Kujdesi familjar 84%
  • Ndikimi i shoqërisë 5%

Një luftë e gjerë në Lindjen e Mesme? Blinken në rajon: Duhet ta parandalojmë me çdo kusht

Nga A2 CNN
9 Janar 2024, 10:38 | Bota

Në vizitën e tij të katërt në rajonin e Lindjes së Mesme, sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken, kërkon të përcjellë një mesazh mbi të gjithë të tjerët; lufta mes Izraelit dhe Gazës, nuk duhet të përhapet në një konflikt rajonal.

Mes sinjaleve se tensionet në rajon janë duke mbërritur në pikën e vlimit, Blinken pati një agjendë të ngjeshur, që përfshiu ndalesa në Turqi, Jordani, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabi Saudite dhe në fund Izrael. Mbreti i Jordanisë, Abdullah, paralajmëroi të dielën për pasoja katastrofike, të konfliktit të vazhdueshëm në Rripin e Gazës. Ndërsa kryeministri i Katarit theksoi se vrasja e një zyrtari të lartë të grupit ekstremist të Hamasit i ka ndërlikuar bisedimet për lirimin e pengjeve të mbetura…

“Sigurisht që vrasja e një prej liderëve të Hamasit është diçka që mund të prekë këtë proces të ndërlikuar”, tha Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, kryeministër i Katarit.

Vrasja e zyrtarit të lartë të grupit që kontrollon Gazën brenda Bejrutit, është vetëm një prej pikave të nxehta të tensioneve në përshkallëzim që prej vizitës së fundit të Blinken. Vrasja e liderit të një milicie të mbështetur nga Irani në Irak nga amerikanët pas një sulmi në një bazë të SHBA-së dhe pengesat që rebelët Huthi të Jemenit vijojnë t’i shkaktojnë lundrimit ndërkombëtar në Detin e Kuq, i kanë hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit. Muajin e kaluar, SHBA-ja njoftoi një përpjekje ndërkombëtare për të frenuar sulmet e rebelëve Huthi, që gjithashtu mbështeten nga Irani. Por në këtë rajon, shumë pak vende duan t’i bashkohen koalicionit për t’iu kundërvënë kërcënimeve.

“Qëndrimi ynë është se rebelët Huthi duhet ta marrin mesazhin e qartë nga vendet rreth botës se e gjitha kjo duhet të ndalet. Sulmet e vazhdueshme janë një kërcënim për të gjithë”, tha Blinken.

Të shtunën, forcat e Hezbollahut në Libanin Jugor hodhën një breshëri raketash në Izraelin verior, në një raprezalje kundër sulmit të planifikuar me bombë që vrau liderin e Hamasit ne Beirut. Uashingtoni e cilësoi këtë një përshkallëzim shqetësues.  

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi