Banorët e Ukrainës janë skeptik nëse presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mund të ndihmojë në ndalimin e luftës me Rusinë, përpara inaugurimit të tij. Në prononcimet për agjencinë e lajmeve Reuters, ka pak optimizëm për Presidentin e ri amerikan. Ata bëjnë lidhjen me vitin 2014, kur Rusia pushtoi Gadishullin e Krimesë dhe asgjë nuk ndryshoi për 10 vite thonë ata, transmeton A2 CNN.
“Unë mendoj se asgjë nuk do të ndryshojë pas inaugurimit të Trump. Ne mund të shikojmë prapa se si ka qenë gjithçka që nga viti 2014: luftimet sapo u qetësuan pas ca kohësh. Mendoj se e njëjta gjë do të ndodhë edhe tani, pas pushtimit në shkallë të gjerë. Unë mendoj se Trump nuk do të ndihmojë në këtë situatë”, deklaroi Sofia Dmytrenko, studente në Kiev, raporton A2 CNN.
Një tjetër i ri ukrainas beson se Trump mund të ndihmojë në përfundimin e luftës, por si pas tij ajo nuk do të jetë afatgjatë.
“Unë mendoj se Trump mund të ndihmojë në përfundimin e luftës, por nuk do të jetë e shpejtë dhe nuk është fakt se do të ishte në favorin tonë. Nuk mund të them asgjë për të. Në vijën e parë, gjithçka është e tmerrshme”, u shpreh Anton Dubchal, student në Kiev.
Menaxherja e re nga Ukrania, Halina Kraskivska, thekson se Trump nuk do të sjellë asgjë pozitive.
“Ne dëshirojmë të shpresojmë që Trump do të jetë personi që do të na ndihmojë t'i japim fund luftës, por kemi dyshime të mëdha nëse do të ndodhë. Shpresojmë për më të mirën, por me siguri nuk do të ketë ndryshime të shpejta dhe pozitive”, u shpreh Halina Kraskivska, menaxhere e Burimeve Njerëzore
Donald Trump do të betohet si president i SHBA-së të hënën, duke sjellë një mandat tjetër të trazuar katërvjeçar me premtime për të shtyrë kufijtë e pushtetit ekzekutiv, për të dëbuar miliona emigrantë, për të siguruar ndëshkim kundër armiqve të tij politikë dhe për të transformuar rolin e SHBA-së në skenën botërore. Trump pretendoi gjatë fushatës së tij se do t'i jepte fund luftës Rusi- Ukrainë në ditën e tij të parë, por këshilltarët e tij kanë pranuar se çdo marrëveshje paqeje do të marrë muaj. (A2 Televizion)