Rusia bombardon Kharkivin, vriten 7 civilë, Zelensky: Na sillni sistemet mbrojtëse

Nga Rosalba Bejdo
23 Maj 2024, 16:11 | Bota

Rusia sulmoi me breshëri raketash qytetin e Kharkiv ditën e enjte, duke vrarë 7 persona brenda një shtypshkronje. Forcat e Moskës kanë intensifikuar ofensivën në qytetin verilindor, prej 1.2 milion banorësh teksa përpiqen të shtyjnë përpara një inkursion tokësor.

Autoritet thanë se Rusia kishte lëshuar 15 raketa në qytetet e Kharkiv dhe Liubotyn duke shënjestruar kryesisht infrastrukturë transporti dhe shtypshkronjën ku gjendeshin rreth 50 persona. Vala e re e sulmeve vjen pasi presidenti Zelensky përsëriti thirrjen ndaj aleatëve për sisteme mbrojtëse, siç tha për t’u mbrojtur nga bombat e komanduara të Rusisë, të cilat janë aktualisht instrumenti kryesor që Moska po përdor kundër qyteteve në vend.

“Nuk mund të ketë alternative. Ukraina ka nevojë për sisteme dhe taktika qe do të na lejojnë të mbrojmë pozicionet tona dhe komunitetet nga këto bomba. Ato janë praktikisht instrumenti kryesor i terrorit rus”, tha Zelensky.

Më herët gjatë muajit, Zelensky tha se Rusia kishte përdorur më shumë se 3200 bomba të komanduara kundër shënjestrave ukrainase gjatë prillit, bashkë me mbi 300 raketa dhe 300 dronë Shahed. Në deklaratën e tij, Zelensky tha se 4 vende të tjera, Shqipëria, Austria, Kili dhe Mozambiku kishin pranuar të merrnin pjesë në samitin e paqes në Zvicër gjatë muajit qershor, me qëllimin për të krijuar një front të gjerë që do ti bënte presion Rusisë të pranonte një marrëveshje paqeje sipas kushteve të kartës së OKB dhe të pranueshme nga Kievi.

Sakaq, ministri i Mbrojtjes në Britaninë e Madhe Grant Shapps akuzoi Kinën se i ka siguruar ose po bëhet gati ti sigurojë Rusisë armatime. Në një konferencë për shtyp në Londër, ai deklaroi se inteligjenca e ShBA dhe Britanisë së Madhe ka prova se ndihmë ushtarake vdekjeprurëse ishte duke ju dorëzuar ose do të dorëzohej shumë shpejt Rusisë nga Kina për t’u përdorur në Ukrainë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos