Lufta me bomba të komanduara, Zelensky: S’ka alternativë, na duhen sistemet mbrojtëse

Nga Rosalba Bejdo
23 Maj 2024, 13:55 | Bota

“Bombat e komanduara janë instrumenti kryesor që Moska po përdor aktualisht kundër qyteteve ukrainase, ndaj kemi nevojë urgjente për sistemet mbrojtëse”.

Është thirrja e dëshpëruar të cilën Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk lodhet ta përsërisë gjatë këtyre ditëve, teksa trupat e Moskës shënojnë përparim gradual dhe intensifikojnë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Në videomesazhin e tij të fundit, Zelensky tha se Ukraina kishte bërë progres në zhvillimin e armatimeve elektronike, por se për t’iu kundërvënë bombave ruse duhej ende shumë punë.

“Nuk mund të ketë alternativë. Ukraina ka nevojë për sisteme dhe taktika që do të na lejojnë të mbrojmë pozicionet tona dhe komunitetet nga këto bomba. Ato janë praktikisht instrumenti kryesor i terrorit rus”, deklaroi Zelensky. 

Më herët gjatë muajit, Zelensky tha se Rusia kishte përdorur më shumë se 3200 bomba të komanduara kundër shënjestrave ukrainase gjatë prillit, bashkë me mbi 300 raketa dhe 300 dronë Shahed.

Në deklaratën e tij, Zelenski tha se 4 vende të tjera, Shqipëria, Austria, Kili dhe Mozambiku kishin pranuar të merrnin pjesë në samitin e paqes në Zvicër gjatë muajit qershor, me qëllimin për të krijuar një front të gjerë që do t’i bënte presion Rusisë të pranonte një marrëveshje paqeje, sipas kushteve të Kartës së OKB-së dhe të pranueshme nga Kievi.

Sakaq, ministri i Mbrojtjes në Britaninë e Madhe, Grant Shapps, akuzoi Kinën se i ka siguruar ose po bëhet gati t’i sigurojë Rusisë armatime. Në një konferencë për shtyp në Londër, ai deklaroi se inteligjenca e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ka prova se ndihma ushtarake vdekjeprurëse ishte duke iu dorëzuar ose do t’i dorëzohej shumë shpejt Rusisë nga Kina për t’u përdorur në Ukrainë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos