Nëse Vladimir Putin fiton në Ukrainë, ai nuk do të ndalet. Ky është paralajmërimi që ka ardhur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Në një konferencë me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Rutte tha se ishte i bindur se Ukraina "një ditë do të jetë anëtare e NATO-s" dhe vlerësoi rolin udhëheqës të luajtur nga Gjermania "për angazhimin e saj për të mbështetur Ukrainën" dhe për "investime për të arritur objektivin prej 2% të PBB-së për mbrojtjen". Rutte përmendi edhe përfshirjen e ushtrisë së Koresë së Veriut, të cilët tashmë po luftojnë në Kursk.
“Trupat e Koresë së Veriut janë dislokuar në Rusi kundër Ukrainës, ky është një përshkallëzim domethënës dhe na bën edhe më të fokusuar dhe të vendosur për t'u siguruar që Ukraina të ketë atë që i nevojitet për të luftuar rusët, duke përfshirë koreano-veriorët”, tha Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO, shkruan A2.
Reagimi i Rutte, vjen në momentin kur Presidenti rus, Vladimir Putin zhvilloi një takim në Moskë me ministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut, Choe Son Hui.
Putin vuri në dukje se ata po takoheshin në Ditën e Unitetit Kombëtar të Rusisë, një festë publike, dhe Choe përcolli "përshëndetje të sinqerta, të ngrohta, miqësore" nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Choe, duke bërë udhëtimin e saj të dytë në Rusi në gjashtë javë, i tha Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov të premten se të dy vendet gëzonin marrëdhënie të "shoqërisë së pamposhtur ushtarake" dhe se Koreja e Veriut do të qëndronte përkrah Rusisë "deri në ditën e fitores" në Ukrainë.
Ndërkoë bëhet e ditur se për herë të parë, ushtria e Koresë së Veriut ka shkëmbyer zjarr me ata ukrainas. Kështu deklaroi Andrii Kovalenko, kreu i Qendrës për Luftimin e Dezinformimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, cituar nga Kyiv Independent.
Kovalenko nuk shpjegoi rrethanat e përleshjes me zjarrin, as nëse kishte ndonjë humbje mes ushtarëve të dërguar nga Pheniani.
Po ashtu raportohet se, Kharkiv gjithashtu u sulmua; një supermarket u godit dhe 13 persona u plagosën. (A2 Televizion)