Përpjekjet për të siguruar një marrëveshje paqeje në Gaza dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi mund të jenë komprometuar nga dokumentet e zbuluara dhe të falsifikuara që përfshijnë një ndihmës të ngushtë të kryeministrit.
Këto janë gjetjet e një gjykate në qytetin e Rishon LeZion, e cila konfirmon se zyrtari pranë Netanjahut, Eli Feldstein dhe tre të tjerë janë nën hetim për këtë çështje.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka mohuar akuzat drejtuar stafit të tij, por figurat e opozitës dhe familjet e pengjeve kanë akuzuar qeverinë për sabotim të negociatave, shkruan A2.
Rrjedhja e dokumenteve për "Chronicle" dhe për tabloidin gjerman "Bild" erdhi në një moment vendimtar për negociatat e pengjeve.
Dokumentet pretendonin se Hamasi po planifikonte të kontrabandonte pengjet izraelite në Egjipt me qëllim që të prishte çdo marrëveshje të propozuar për armëpushim.
Disa komentues thonë se zbulimet ishin politikisht të dobishme për pozicionin e vijës së ashpër të Netanyahut mbi bisedimet, të cilat nuk kanë bërë pothuajse asnjë përparim.
Mbi 100 pengje nga 251 të marra nga Hamasi më 7 tetor 2023 mbeten të pagjetur.
Pasi dokumentet u publikuan në shtator, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nisën një hetim për të zbuluar burimin e rrjedhjeve.
Kjo përfundimisht çoi në arrestimin e Eli Feldstein, së bashku me tre të tjerët, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur.
Feldstein kishte punuar si zëdhënës i qeverisë dhe shpesh shihej duke shoqëruar kryeministrin në vizita. Ai kishte punuar më parë për Ministrin e Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, dhe si zëdhënës i IDF. (A2 Televizion)