SHBA-ja sanksione për forcat izraelite! Netanyahu: Jemi kundër, ushtria po lufton për ne

Nga Erjon Dervishi
22 Prill 2024, 10:34 | Bota

Benjamin Netanyahu do të kundërshtojë me çdo kusht planin e Uashingtonit për vendosjen e sanksioneve ndaj njësisë ushtarake izraelite që vepron në Bregun Perëndimor. Në fjalimin para mediave Netanyahu theksoi se ushtarët janë duke luftuar dhe mbrojtur Izraelin. Sanksionet e Uashingtonit prekin batalionin izraelit të Netzah Jehuda, i cili operon në Bregun Perëndimor.

"Unë do të mbroj Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, ushtrinë tonë dhe luftëtarët tanë. Nëse dikush mendon se mund të vendosë sanksione ndaj një njësie të ushtrisë, unë do ta luftoj atë me të gjitha forcat e mia. Ndërsa ushtarët tanë janë të bashkuar për të na mbrojtur në fushën e betejës, ne jemi të bashkuar për t'i mbrojtur ata në fushën politike, së bashku do të luftojmë dhe do të fitojmë”, tha Benjamin Netanyahu.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një takim me zyrtarët e mbrojtjes izraelite ka bërë të ditur se vendimi për sanksione është marrë për shkak të akuzave se Izraeli ka shkelur një sërë ligjesh amerikane që ndalojnë ofrimin e ndihmës ushtarake për individët ose njësitë e forcave të sigurisë që kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Sakaq, Benjamin Netanyahu ka njoftuar masat e reja shtrënguese ndaj Hamasit dhe planin për t'i dhënë organizatës goditjen përfundimtare.

"Ne do t'i japim Hamasit goditje shtesë dhe të dhimbshme dhe kjo do të ndodhë së shpejti. Në ditët në vijim, ne do të rrisim presionin ushtarak dhe politik mbi Hamasin, sepse kjo është mënyra e vetme për të liruar pengjet tanë dhe për të arritur fitore”, u shpreh kryeministri izraelit.

Në fjalimin drejtuar kombit përpara festës hebraike të Pashkës, i njohur si Festivali i Lirisë, Netanyahu u zotua të sigurojë lirimin e 133 pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos