Shembja e urës në Baltimore, Roja Bregdetare: Nuk ka më shpresë për të mbijetuar

Nga Erjon Dervishi
27 Mars 2024, 11:51 | Bota

Veniten shpresat për gjetjen e të mbijetuarve pas shembjes së urës në Baltimore të Shteteve të Bashkuara. Ekipet e shpëtimit dhe rojet bregdetare kanë vijuar këtë të mërkurë përpjekjet për gjetjen e personave që përfunduan në ujë, por, sipas tyre, gjasat janë të pakta.  

“Ne nuk besojmë se do të gjejmë ndonjë nga këta individë të gjallë. Nuk ka asnjë shpresë për ta. Situatën e bën më të rëndë kohëzgjatja e tyre në ujë të ftohtë. Sonte në mbrëmje jemi të detyruar t’i ndërpresim kërkimet”, tha Shannon Gilreath, kundëradmirali i Rojes Bregdetare. 

Rojet bregdetare nxorën të gjallë dy persona nga lumi dhe njëri prej tyre u shtrua në spital. Gjashtë persona të cilët janë shpallur të zhdukur ishin nga Meksika, Guatemala dhe El Salvadori. Policia e Shtetit të Maryland dhe zyrtarët e Rojës Bregdetare të SHBA-së thanë se mungesa e shikueshmërisë dhe rrymat e forta, i bënë përpjekjet e vazhdueshme të kërkimit tepër të rrezikshme.

Guvernatori i shtetit të Maryland kërkon më shumë kujdes dhe vëmendje për infrastrukturën detare dhe atë tokësore. Sipas tij, tragjedia e Maryland nuk duhet të përsëritet: “Kjo është një situatë e paprecedentë. Ne e kuptojmë veçantinë e kësaj situate. Por, ne gjithashtu mendojmë se kjo kërkon që ne të mendojmë për infrastrukturën tonë në tërësi, infrastrukturën tonë detare, infrastrukturën hekurudhore, të gjithë infrastrukturën dhe të sigurohemi që Maryland të mos përsëritet më”.

Tragjedia e ndodhur të martën në mëngjes ka detyruar mbylljen e Portit të Baltimores, një nga më të mëdhenjtë në bregun lindor të SHBA-së. Autoritetet parashikojnë se rindërtimi i urës “nuk do të jetë i shpejtë” dhe do të jetë i kushtueshëm. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i bëri thirrje Kongresit të mbështesë përpjekjet e rindërtimit dhe qeveria federale të mbulojë kostot e riparimit të plotë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos