“Show” i Putin në Sheshin e Kuq, pasi u shpall “Car” feston përkrah tre rivalëve

Nga A2 CNN
18 Mars 2024, 19:47 | Bota

Me thirrjet "Rusi!", "Rusi!", mijëra qytetarë u mblodhën në “Sheshin e Kuq” të Moskës për të dëgjuar fjalimin e fitores së Presidentit Vladimir Putin, i cili çimentoi qëndrimin e tij në pushtet duke fituar 87.28 % të votave në zgjedhje.

Ajo çka ra në sy në koncertin për festimin e 10-vjetorit të aneksimit të Krimesë dhe suksesin në zgjedhje, ishte rreshtimi në të dy krahët e Putin i tre rivalëve të tij në zgjedhje.

Leonid Slutsky, Nikolai Kharitonov dhe Vladislav Davankov kënduan himnin së bashku me Putin, ndërsa kreu i Kremlinit iu drejtua turmës me fjalim patriotik, e tone kërcënuese ndaj Perëndimit.

“Kthimi në atdhe doli të ishte më i vështirë, më tragjik, por ia dolëm dhe është një ngjarje e madhe në historinë e shtetit tonë”, tha Putin para se të këndonte himnin kombëtar me turmën.

Rusia aneksoi Krimenë në mars të vitit 2014 pas ndërhyrjes së forcave speciale të ushtrisë ruse. Në shtator 2022, Moska shpalli aneksimin e katër rajoneve të tjera ukrainase nën pushtimin e pjesshëm rus: Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore, Kherson dhe Zaporizhia në Ukrainën jugore.

Ndërkohë, Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë në mënyrë të parashikueshme pretendoi një fitore dërrmuese të Putin në zgjedhje. Me 100 për qind të votave të numëruara, komisioni tha se Putin kishte fituar 87.28 për qind – shifra e tij më e lartë në cilindo nga katër proceset e mëparshme.

Komisioni zgjedhor pretendoi po ashtu se në rajonet ukrainase të pushtuara nga Moska, Kherson dhe Zaporizhzhia, Putin fitoi respektivisht 88.12 për qind dhe 92.95 për qind të votave.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli