Spitalet në Rripin e Gazës duhet të mbrohen. Thirrja vjen nga presidenti amerikan Joe Biden, teksa luftimet vijojnë të ashpra pranë strukturës ku gjenden mbi 2 mijë vetë.
Tanket izraelite janë pozicionuar jashtë spitalit Al Shifa, qendra më e madhe shëndetësore në enklavën e rrethuar. Tel Avivi pretendon se poshtë strukturës gjendet një qendër komandoje e Hamasit e lidhur përmes tuneleve dhe se militantët po i përdorin pacientët si mburoja njerëzore. Por në një deklaratë mbrëmjen e së hënës, kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkoi nga Izraeli të zbusë veprimtarinë në zonë.
“Ju e dini se nuk kam hezituar të shpreh shqetësimin tim lidhur me atë që po ndodh. Shpresoj se do të ketë më pak veprime ndërhyrëse në lidhje me spitalin. Ne jemi në kontakt me izraelitët. Gjithashtu, ka një përpjekje për një pauzë në luftime, në mënyrë që të lirohen të burgosurit”, tha Biden.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se Al Shifa po kthehej në një varrezë masive, me trupa viktimash të grumbulluara brenda dhe jashtë saj. Dhjetëra bebe që kanë lindur para kohe dhe 45 të sëmurë me veshka që kanë nevojë për dializë, rrezikojë të vdesin pasi shërbimet në spital kanë dalë jashtë funksionit.
Izraeli ka njoftuar se ka nisur punën për të transferuar inkubatorë nga një spital në Izrael drejt Gazës. Sakaq, ushtria izraelite publikoi një video që siç thotë, tregon se disa prej pengjeve po mbahen në spitalin e Rantisit.
Hamas është shprehur i gatshëm për lirimin e 70 grave dhe fëmijëve në këmbim të 5 ditëve armëpushim. Ndërsa sipas Uashington Post, palët janë pranë dakordësimit për të liruar shumicën e grave dhe fëmijëve në këmbim të lirimit të të rinjve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.
Teksa bilanci i viktimave në Gaza i ka tejkaluar 11 mijë, Izraeli prentendon se Hamas ka humbur kontrollin e territorit.
(A2 Televizion)