“Trump nuk jep asnjë cent për luftën”, Orban: Nëse rizgjidhet president, konflikti do të përfundojë

Nga Rosalba Bejdo
11 Mars 2024, 15:29 | Bota

Mundësia e ardhjes së Donald Trumpit në pushtet, pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duket se po e zhyt fatin e luftës në Ukrainë në ujëra edhe më të pasigurta.

Këtë e konfirmon edhe deklarata e fundit e kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili tha se Donald Trump nuk do të financojë luftën ukrainase kundër Rusisë nëse rizgjidhet president.

Komentet i bëri pas një takimi të zhvilluar me Trumpin në Florida.

Ai nuk do të japë asnjë cent për luftën Ukrainë-Rusi. Prandaj lufta do të përfundojë. Është e qartë se Ukraina nuk mund të qëndrojë me këmbët e veta. Dhe nëse amerikanët nuk japin para, Europianët nuk do të jenë në gjendje të financojnë të vetëm këtë luftë.

Ish-presidenti amerikan është zotuar ti japë fund luftës brenda 24 orëve nëse do të rizgjidhet, por nuk ka dhënë detaje mbi mënyrën e si do ta arrijë këtë qëllim.

Nacionalisti Orban, që është gjithashtu një prej aleatëve më të ngushtë të Putinit në Europë, po mbështet haptazi aleatin e tij afatgjatë në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Në intervistën e tij televizive, Orban këmbënguli se republikani ka një plan shumë të detajuar mbi mënyrën se si do t’i japë fund luftës Ukrainë-Rusi, por pa hyrë në detaje.

Ish-presidenti nuk i ka komentuar publikisht deklaratat e Orban, por pas takimit të zhvilluar me të premten, në resortin e tij të Mar a Lago, ai e vlerësoi të ftuarin e vet, duke thënë se nuk ka asnjë udhëheqës më të mirë apo më të mençur se Viktor Orban.

Ai është fantastik”, pohoi Trump, duke nxitur kritika nga rivali demokrat, Joe Biden, i cili e akuzoi si mik të të gjithë autokratëve rreth globit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos