Masakra e Reçakut, Kurti: Plagët ende të hapura, kriminelët të ndëshkohen qoftë dhe në mungesë

Nga A2 CNN
15 Janar 2025, 14:58 | Aktualitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës në akademinë përkujtimore për Masakrën e Reçakut i çoi mesazh Serbisë se lufta për çlirim ka përfunduar, por jo edhe beteja për drejtësi.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se kriminelët që kryen masakrën e Reçakut vazhdojnë të mbesin të pandëshkuar. Siç ka thënë shefi i ekzekutivit, ata duhet të ndëshkohen, qoftë edhe në mungesë.

“Varret në tokë, vragët në trup e në shpirt, vrasësit në liri në Serbi. Varret e hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, vragët e hapura në trup, arkivat e mbyllura në Beograd. Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin. Ajo që duhet të ndodhë për pasojë është drejtësia. Gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve qoftë edhe në mungesë”, u shpreh Kurti.

Ndërkohë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet me fshatin dhe banorët e tij, por përfaqëson një dëshmi të vuajtjeve të gjata të gjithë popullit të Kosovës.

“Ne nuk do ta harrojmë kurrë Reçakun dhe të vërtetën që përfaqëson. Ai është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe synimi i vazhdueshëm për ta mbrojtur shtetin tonë të pavarur, të lirë, sovran dhe demokratik. Nuk duhet të ndalemi asnjëherë së treguari këtë të vërtetë. Çdo ditë, në çdo forum, kudo në botë duhet ta dëshmojmë se në vitet 98-99 populli i Kosovës mbrojti pragun e shtëpisë nga regjimi gjenocidal i Serbisë”, tha Osmani.

Osmani përmendi ministrin e Informacionit dhe Propagandës në atë kohë, Aleksandër Vuçiç, i cili përpiqej të justifikonte masakrat si pjesë e një politike gjenocidale.

“Në kohën kur Reçaku dhe e gjithë Kosova akoma kërkojnë drejtësi për viktimat e pafajshme të luftës, ajo çka shohim në Serbi është vazhdimësi e mendësisë së viteve të 90’, mendësi kjo që shkaktoi mbi 100 mijë civilë të vrarë në këtë pjesë të Evropës. Kur njerëzit e Reçakut masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte Ministri për Informacionin me emrin, Aleksandër Vuçiç”, deklaroi Presidentja e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos