Presidenca hungareze e BE, Kosova e zhgënjyer për moslargimin e masave

Nga Ideal Gola
14 Janar 2025, 18:56 | Aktualitet

Kosova nuk ka fshehur zhgënjimin për mos largimin e masave të Bashkimit Europian ndaj saj si dhe për mungesën e avancimit të aplikimit gjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit të kaluar kur presidenca e Këshillit të BE-së ishte në duart e Hungarisë.

Ambasada e Hungarisë në Prishtinë organizoi një ceremoni në përmbyllje të presidencës së saj duke adresuar sfidat e shumta me të cilat u ballafaquan, pavarësisht se për Kosovën u fol shumë pak.

Ambasadori hungarez në Kosovë, Bela Bozsik, në fjalimin e tij, ndër të tjera, përmendi si të arritura gjatë presidencës hungareze sanksionet ndaj Rusisë dhe hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë.

“Ne kemi mbështetur edhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian duke i dërguar ftesa për zyrtarët kosovarë që të mbajnë takime në të cilat do të mund të marrin pjesë si përfaqësues i një vendi potencialisht kandidat si dhe ministri hungarez për Çështje Evropiane bëri një vizitë në Prishtinë”, tha Bela Bozsik, ambasador i Hungarisë në Kosovë.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, foli zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, që përshëndeti përpjekjet e Hungarisë për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian por theksoi se ka ende shumë punë për të bërë.

"Përkundër progresit që është arritur ne jemi të dëshpëruar për mos largimin e plotë të masave të padrejta të Bashkimit Europian ndaj Kosovës dhe mos marrjen e pyetësorit për statusin e vendit kandidat. Kosova vijon të mbështesë anëtarësimin në Bashkimin Europian por BE vijon të kushtëzojë integrimin me dialogun me Serbinë që në një mënyrë po frustron qytetarët e Kosovës"

Duke shpresuar që presidenca polake e BE-së ta bazojë procesin e integrimit të Kosovës në meritokraci, një tjetër kërkesë nga Kosova iu drejtua Unionit Europian.

"Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Europian të mbajë Serbinë përgjegjëse për agresionin e vazhdueshëm ndaj Kosovës. Veprimet destabilizuese të Serbisë në rajon nuk kërcënojnë vetëm Kosovën por të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo duhet të adresohet nëse duam një Europë në paqe dhe të bashkuar", tha Liza Gashi, zv/ministre e Jashtme.

Polonia, që do të ketë presidencën e Këshillit të BE-së për gjashtë muajt e parë të këtij viti, gjithashtu nuk ka dhënë shpresa se do të ketë avancim të aplikimit të Kosovës në BE për mungesën e konsensusit brenda Unionit ku janë edhe pesë vende mosnjohëse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos