“Më afër zgjedhjeve se sa qeverisë së re”, Vuçeviç: Qeveria kalimtare e Serbisë do sanksionojë Rusinë

Nga Xhevahir Qardaku
3 Shkurt 2025, 13:09 | Aktualitet

Millosh Vuçeviç përdor “kartën” ruse. Kryeministri serb në largim ka bërë një hap pas nga dorëheqja e tij, duke sinjalizuar se nuk do t’i hapë rrugën krijimit të një qeverie kalimtare me pretendimin se një e tillë do të sanksiononte Moskën.

Ai pretendon se protestat nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë në Novi Sad ku humbën jetën 15 persona nga shembja e strehës së betonit në stacionin e trenave, shkruan A2 CNN.

“Ajo qeveri kalimtare do të vendoste sanksione ndaj Federatës Ruse. Tani kur i shoh këtu me flamuj, ‘nuk ka dorëzim’, më duhet të pyes, pra ku shkuat, a e dini se me kë jeni në protesta? Ju jeni në protesta me ata që flasin dhe që përfaqësojnë gjithçka të kundërt me atë që ju mbroni ose mendoni se duhet të jetë thelbi i protestave serbe”, tha Millosh Vuçeviç, kryeministër në largim i Serbisë.

Vuçeviç pretendon se gjithçka është politike në këto protesta masive dhe se pas saj qëndron edhe shkëputja e Vojvodinës nga shteti i Serbisë. “Valët e protestave janë një mundësi që ata të vendosin në tavolinë këto projekte. Nuk ka lidhje me tragjedinë”, thekson kryeministri në largim duke shtuar se i njëjti skenar është parë edhe në rastin e Malit të Zi.

Duke iu rikthyer zgjidhjes së krizës politike në Serbi, Vuçeviç bëri me dije se partia në pushtet është më pranë idesë për zgjedhje të reja parlamentare sesa formimit të një qeverie të re. “Për rreth dhjetë ditë do të marrim një vendim”, nënvizon kryeministri në largim, dhe sqaron se për mënyrën se si do të ecet përpara po diskutohet me partnerët e tjerë të koalicionit.

Njëri prej tyre, Ivica Daçiç, nga Partia Socialiste e Serbisë, hodhi poshtë idenë e një qeverie revolucionare apo autoriteti të ri. Ndërkohë, asnjë prej vendimeve të marra nga autoritetet në Serbi nuk kanë ndalur manifestimet. Studentëve u janë bashkuar zyrtarisht edhe profesorët. Organizatorët kanë konfirmuar se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar, ndërsa që prej 1 nëntorit të kaluar janë mbajtur gjithsej 200 protesta në kërkim të drejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos