Sondazh: Çfarë ju pengon për t'u ushqyer shëndetshëm?
  • Çmimet e larta 67%
  • Mungesa e kohës 22%
  • Mungesë motivimi 0%
  • Lodhja fizike 11%

“Nuk i ngulim thikën Serbisë”, Mali i Zi do të votojë kundër Kosovës në Këshillin e Evropës

Nga A2 CNN
25 Mars 2024, 19:58 | Aktualitet

Mali i Zi po shkon drejt marrjes së vendimeve jomiqësore ndaj Kosovës. Kryetarja e delegacionit të këtij shteti në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Maja Vukiçeviç, ka njoftuar se do të votojë kundër pranimit të Kosovës në organizatën e rëndësishme për të drejtat e njeriut.

Anëtarja e Partisë Demokratike Popullore, një forcë politike pro ruse dhe pro serbe në pushtet në Malin e Zi bashkë me Lëvizjen Evropa Tani, thotë se për këtë ka marrë bekimin e qeverisë. Vukiçeviç shton se vota pro Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte “një goditje e drejtpërdrejtë me thikë pas shpine për Serbinë vëllazërore dhe mike”.

“Mund të kemi zëvendësuar Milo Gjukanoviçin, por praktikat e këqija të politikës së tij mbetën. E di që ka nga ata që besojnë se 'kështu duhet të jetë', por mendësia e nënshtruar duhet mposhtur gjithmonë dhe në çdo vend. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nuk do të deklarohet për pranimin e Kosovës në këtë seancë, por kurdo që kjo çështje të jetë në rend dite, nëse unë jam pjesë e delegacionit malazez, personalisht do të votoj kundër këtij vendimi”, tha Maja Vukiçeviç.

Kjo forcë politike në Malin e Zi ka kërkuar edhe tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu ka një qasje shumë pro Rusisë, duke nxitur heqjen e sanksioneve, por edhe kundër NATO-s.

Por në marrëveshjen për qeverisje, partia në fjalë hoqi dorë nga ngritja e këtyre çështjeve, por që në fakt nuk po rezulton kështu. Ndërkohë, Kosova mori vendimin për regjistrimin e 24 hektarëve tokë në përfitim të Manastirit të Deçanit, si kushtin e fundit për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Më 22 mars u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit të Këshillit të Evropës, ndërsa në prill është Asambleja Parlamentare dhe në fund të majit është takimi i Këshillit të Ministrave në Këshillin e Evropës që do të vendosë për anëtarësimin e Kosovës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli