Pas liberalizimit të vizave, Kosova ka njohur një tjetër arritje në 2024. Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës. Lajmi është bërë me dije nga zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Që do të thotë se tashmë qytetarët e Kosovës do mund të udhëtojnë drejt Spanjës pa asnjë pengesë.
“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti.
Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë.
Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, shkruan Bislimi.
Spanja është një nga pesë vendet e BE-së, e cila vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës. Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që i lejohet udhëtimi pa viza në këtë zonë, pasi Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë gëzuar këtë të drejtë nga viti 2009. Ndërsa, vendi ynë dhe Bosnje e Hercegovina nga viti 2010.
(A2 Televizion)