Bashkimi Europian reagon me kritika kundër Kosovës për mbylljen e strukturave paralele të paligjshme serbe në veri të vendit.
Përmes një deklarate, zëdhënësja Anita Hiper, thekson se aksioni i kryer gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare bie ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit, shkruan A2 CNN.
“EULEX-i është duke monitoruar sjelljen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij. Statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, lexohet në deklaratën e Brukselit. Më tej i kërkohet Kosovës që të respektojë angazhimet që ka marrë përsipër pasi tensionet nuk lehtësojnë marrjen e një vendimi për heqjen e masave të BE-së.
Ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi mbylljen e disa komunave paralele të Serbisë, posta dhe zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të Kosovës. Më vonë Prokuroria e Shtetit njoftoi se nuk kishte dhënë autorizim për aksionet e kryera për mbylljen e strukturave paralele. (A2 Televizion)