Akuzohen se shkelën kufirin me Serbinë, reagon Policia e Kosovës: Lajme të rreme, synojnë të krijojnë pasiguri në veri

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2024, 18:57 | Kronikë

Akuzohen se shkelën kufirin me Serbinë, reagon Policia e Kosovës:

Policia e Kosovës ka reaguar me anë të një deklarate në lidhje me disa lajme që kanë qarkulluar kryesisht në mediat serbe, ku pretendohet se “një grup pjesëtarësh të armatosur rëndë të Policisë së Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit”.

Sipas mediave që e kanë publikuar lajmin, pretendimi është se ky njoftim është dhënë nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë. Megjithatë, Policia e Kosovës sqaron se këto janë pretendime të pavërteta. Dhe janë publikuar për qëllim të krijojnë pasiguri te qytetarët e asaj zone.

“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit dhe qytetarëve, reagon ndaj disa shkrimeve të publikuara kryesisht në media serbe, e të cilat i referohen një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, se kinse sipas tyre një grup pjesëtarësh të armatosur rëndë të Policisë së Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.

“Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformacion i cili ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, si institucion i besueshëm dhe transparent do kujdeset në vazhdimësi që të ofrojë informacione zyrtare për media dhe opinionin e gjerë, kurdo që ato kërkohen dhe janë të nevojshme për media dhe publikun”, njofton policia e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos