Përplasjet për politikën e jashtme, Kurti: Me Osmanin kam komunikim e bashkërendim të vazhdueshëm

Nga Rosalba Bejdo
29 Nëntor 2024, 20:07 | Kronikë

“Me Presidenten kam komunikim dhe bashkërendim të vazhdueshëm për politikën e jashtme”.

Kështu pretendon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas fjalimit kritikues të Vjosa Osmanit se marrëdhëniet e vendit me aleatët po vihen në rrezik. Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve më 21 nëntor, Osmani tha se po luhet bixhoz me aleatët dhe paralajmëroi se cenimi i raporteve me këto vende e dëmton vetë Kosovën, shkruan A2 CNN.

I pyetur rreth kësaj deklarate gjatë një ngjarjeje në Podujevë të premten, Kurti tha se vazhdimisht ka qenë në komunikim dhe bashkërendim me Presidenten Osmani, kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren e jashtme Gërvalla sa i përket politikës së jashtme.

“Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdojmë. Nuk ka vështirësi dhe sfida të tilla që nuk i tejkalojmë”, tha Kurti.

Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr Kurti, është kritikuar dhe akuzuar nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i vendit, si dhe nga Bashkimi Evropian, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos