Beteja e ligjeve në Kushtetuese, Vetëvendosje akuzon PDK se është kundër qytetarëve të Kosovës

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2024, 20:06 | Politikë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas dërgimit në Kushtetuese të 16 ligjeve nga Partia Demokratike e Kosovës. Shefja e Grupit parlamentar të kësaj force politike, Mimoza Kusari Lila, në një konferencë për media, theksoi se opozita po e përdor Gjykatën Kushtetuese për interesa personale dhe grupore.

“Atë çfarë pamë sot me veprimin e fundit të Partisë Demokratike të Kosovës, pamë se kjo parti dhe ky grup parlamentar janë pozicionuar qartazi kundër qytetarëve të Republikës dhe interesit publik, duke përdorur Gjykatën Kushtetuese për interesat e tyre personale dhe ato grupore. Atë çfarë kane përvetësuar kundërligjshëm kur kanë qenë në pushtet, duan ta mbrojnë me mekanizma ligjorë tash nga opozita. PDK ka vepruar njëjtë, në fakt nuk është ndonjë veprim i ndryshëm prej veprimit të tyre sa kanë qenë në pozita qeveritare. Njëjtë po veprojnë edhe tani sikur dikur tash nga roli i opozitës. Mbrapa çdo ligji të dërguar në Gjykatën Kushtetuese gjatë këtyre katër vjetëve, ruhet një interes i një figure apo grupimi brenda këtij subjekti politik. Dy herë e kanë kontestuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për arsye se donin t’i mbronin njerëzit e tyre brenda këtij këshilli”, deklaroi Kusari-Lila.

Shefja e deputetëve të shumicës parlamentare shtoi se opozita po tenton ta shtyjë zbatimin e Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Kusari-Lila refuzoi krahasimet me periudhën e tyre në opozitë, duke nënvizuar se Vetëvendosje ka dërguar çështje në kushtetuese vetëm për të parandaluar “një të keqe për vendin.”

"LVV gjithmonë në veprimet e tyre ka bërë dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese për të parandaluar një të keqe për vendin, për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Këta, dikur pushteti sot opozita po mundohen të ndalin dhe ngadalësojnë të mirën e qytetarëve. Është një dallim përmbajtjesor. Nuk mund të krahasohet interesi i tyre sot, me argumentimin se ‘jo edhe ju si LVV ose si subjekt opozitar keni vepruar njëjtë’. Në seancën e fundit, as në përmbajtje as në procedurë nuk ka shkelje ligjore. Sikur të kishte shkelje do të ishin diskutuar prej shumë kohësh”, u shpreh Kusari-Lila.

Ajo u pyet edhe për listën për deputetë të Vetëvendosjes dhe mos-përfshirjen e ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, por nuk dha një përgjigje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos