Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë, kanë mbërritur mbi 1 milion e 752 mijë fletëvotime për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.
Po ashtu, edhe në përfaqësitë diplomatike ku më 8 shkurt, emigrantët kosovarë do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar kanë shkuar mbi 21 mijë fletëvotime, shkruan A2.
“Këto fletëvotime janë shtypur në Celie të Sllovenisë dhe kanë ardhur para disa ditësh në Kosovë, dhe do të shpërndahen brenda disa ditësh, sigurisht para ditës së zgjedhjeve në qendrat e votimit ku do të zhvillohet procesi zgjedhor më 9 shkurt. Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta, 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë. Ndërkaq, për votimin jashtë vendit në përfaqësi diplomatike janë shtypur 21,450 fletëvotime”, tha Elezi.
Ndërkohë, mbrëmjen e së hënës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë arritur edhe dërgesat e para me fletëvotime nga diaspora të cilat janë pjesë e votimit me postë. Sipas Elezit, ato janë në vend të sigurt dhe fillimisht do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit e pas ditës së zgjedhjeve do të numërohen: “Gjatë mbrëmjes së kaluar, në KQZ në një hapësirë të veçantë të sigurt e cila ruhet 24 orë nga Policia e Kosovës, kanë ardhur dërgesat e para të fletëvotimeve jashtë Kosovës, të cilat janë pjesë e votimit përmes postës dhe këto pako me fletëvotime fillimisht do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit më pas në një fazë të mëvonshme pas ditës së zgjedhjeve pas disa procedurave do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”.
Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që konsiderohen një test kyç për kryeministrin Albin Kurti, do të mbahen më 9 shkurt, ndërsa fushata zgjedhore ka nisur me 11 janar. (A2 Televizion)