Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump, shteti synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të investimeve strategjike. Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se po ashtu synohet vazhdimi i punës me Uashingtonin lidhur me forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. “Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë”, tha Osmani.
E para e shtetit të Kosovës po qëndron në Shtetet e Bashkuara, ku ka marrë pjesë e në Lutjet e Mëngjesit, por ka zhvilluar edhe takime në Departamentin e Shtetit. Më 6 shkurt, Osmani tha se është takuar me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Brian Mast, me të cilin tha se ka biseduar për raportet mes dy vendeve, që sipas saj, kanë një aleancë të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri.
Presidenca, ndërkaq bëri të ditur se Osmani në Uashington është takuar edhe me kongresistin Keith Self, me të cilin ka biseduar për nevojën e mbështetjes të vazhdueshme amerikane për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)