Kuvendi miratoi me 86 vota në favor marrëveshjen mes Kosovës dhe Danimarkës për dhënien në shfrytëzim të burgut të Gjilanit për dhjetët vitet e ardhshme.
Rreth 300 të burgosur në shtetin danez do të vijnë të vuajnë dënimin në 30 qelitë e burgut kosovar dhe si këmbim Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro që do të shkojnë për Shërbimin Korrektues dhe për projekte për energjinë e ripërtërishme.
Këshilli i të Drejtave të Njeriut e ka vlerësuar si marrëveshje raciste pasi thonë se të dënuarit nuk janë danezë por nga vendet e treta. Për këtë Këshill, thuhet se ka pasur mungesë informacioni se çfarë përmban marrëveshja dhe se nuk është sqaruar së të dënuarit që do të vijnë për çfarë janë vepra janë shpallur fajtorë.
“Të gjithë ata qytetarë ose ata persona që do të vuajnë dënimin e tyre janë persona të vendeve të treta të cilët janë dënuar për vepra të rënda kriminale në Danimarkë dhe përderisa Danimarka na paraqitet si shtet që nuk dëshiron të mbajë kriminelët në shtetin e saj atëherë ka gjetur zgjidhjen më të lehtë të mundshme Kosovën që për pak para të marr nën menaxhim burgun e Gjilanit”, thotë Valentina Demolli, KMDLNJ.
Në sytë e juristëve, me këtë marrëveshje Kosova paraqitet si shtet serioz që dëshmon se institucionet korrektuese janë me standarde të larta. Megjithatë, ata tërheqin vërejtjen që Kosova të mos e bëjë praktikë dhënien me qira të burgjeve të saj.
“Kemi pas së paku në publik informata se ka edhe shtete të tjera të interesuara, unë vlerësoj që nuk do të duhej të vazhdohej më tutje se kështu mund të vijmë në situatë kur institucionet tona korrektuese mund të jenë të mbipopulluara”, thotë Ardian Bajraktari, jurist.
Sipas marrëveshjes, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore. (A2 Televizion)