Zgjedhjet e parakohshme, PDK kërkon të vendoset javën tjetër, AAK pret “kapitullimin e Kurtit”

Nga Ideal Gola
24 Maj 2024, 20:09 | Politikë

Kuvendi i Kosovës dështoi të diskutonte për qeverisjen trevjeçare të Albin Kurtit pasi munguan deputetët.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si inicuese, tha se kishte rëndë dakord me grupet e tjera parlamentare që debati të mbahet në një datë tjetër kur të gjithë deputetët të jenë të pranishëm.

Lëvizja Vetëvendosje mohon marrëveshjet me Partinë Demokratike të Kosovës por shprehet e gatshme për zgjedhje po vetëm duke e shpërndarë Kuvendin.

“Është paksa e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit ku për debat të tri vjet qeverisje ka aq pak deputetë në sallë e lëre më të mendohet për një situatë, e cila do të nënkuptonte përfundimin e punës së legjislaturës së tetë, përderisa nuk janë kryer të gjitha pikat, ka shumë pak pika të pa trajtuara, por gjithashtu jemi në dinamikën dhe ritmin e mirë të përmbushjes së agjendës legjislative”, shprehet Mimoza Kusari – Lila,  shefe e grupit parlamentar të LVV.

PDK thotë se do tentojë që të bind partitë opozitare për shpërndarjen e Kuvendit gjatë javës së ardhshme, pasi zgjedhjet e parakohshme kanë kuptim vetëm në muajt e verës.

“Nëse nuk ka sukses datat që i kemi propozuar 30 qershor e 7 korriku atëherë normalisht që vendi duhet të shkojë tani e tutje më këtë parlament të degraduar, pa një shumicë të duhur për kalimin edhe të ligjeve me shumicë të thjeshtë, duhet ta përfundojë mandatin e vetë e që është vetëm në dëm të qytetarëve”, thotë Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim dhe po presin dorëzimin e kryeministrit Albin Kurti.

“Kryeministri Kurti duke u dorëzuar ka krijuar një pozicion për të negociuar kushtet e dorëzimit me opozitën, mirëpo ne këto kushte nuk i pranojmë, ne presim herët a vonë kapitullimin e tij përmes dorëheqjes”, shprehet Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK.

Kryesia e Kuvendit do të mblidhet të hënën për të caktuar datën e seancës së re. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos