Ish-kryeministri britanik Tony Blair përmes një adresimi në Kuvendin e Kosovës deklaroi se nuk është penduar asnjëherë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës.
Duke nderuar të rënët për liri, Blair tha se 25 vite më parë ditët e tij si kryeministër ishin të mbushura me angazhim politik e diplomatik si dhe me negociata të tensionuara.
“Askush nga ne nuk do të kishte triumfuar pa vendosmërinë dhe trimërinë tuaj, të popullit të Kosovës. Lufta juaj simbolizonte vullnetin tuaj për një të ardhme tjetër. Ajo e ardhme teksa flasim është ende duke u formuar dhe luftuar për të, është për një komb të fortë, të pavarur dhe sovran të Kosovës që Kosova të zërë vendin e saj të merituar në zemër të Evropës në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.”
Blair tha se e di që Kosova ende përballet me sfida por si vend duhet të ndërtojë të ardhmen që meriton populli.
“Ne i dhamë fund një makthi atëherë, por ne mund të ndërtojmë një ëndërr tani. Kjo është ajo që ne u detyrohemi atyre që kujtojmë sot, kjo është ajo që ata do të dëshironin. Kjo do të ishte dhurata më e madhe për ata që e bënë detyrën e tyre atëherë që ne të ndjekim shembullin e tyre dhe ta bëjmë detyrën tonë tani. Për popullin, për të ardhmen e tyre dhe për këtë komb të bukur të Kosovës.”
Kryeparlamentari Glauk Konjufca u shpreh se Blair ka një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën kur vendi po kalonte ditët e saj më të vështira.
“Falë kontributit të tij, presidentit Bill Clinton dhe përfaqësuesve të NATO-s, gjeneralit Clark dhe shumë figura të tjera të rëndësishme, fal vendosmërisë së tyre dhe luftës së UÇK-së e ndalën gjenocidin e Serbisë në Kosovë.”
Blair është në Prishtinë me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. (A2 Televizion)