Sondazh: Çfarë ju pengon për t'u ushqyer shëndetshëm?
  • Çmimet e larta 73%
  • Mungesa e kohës 18%
  • Mungesë motivimi 9%
  • Lodhja fizike 0%

Votimi në veri të Kosovës, KQZ cakton 44 qendra votimi me mbi 46 mijë votues

Nga Ideal Gola
18 Mars 2024, 18:01 | Kosova

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh të hënën për të vijuar përgatitjet për shkarkimin ose jo të kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.

Me këtë rast është miratuar lista jopërfundimtare e votuesve e cila në krahasim me zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar është rritur me 1 mijë e 153 votues.

KQZ do të presë konfirmimin nëse të gjithë janë të pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës, kusht kryesor për të votuar.

“Numri total i votuesve për këtë proces të votimit janë 46 mijë 248 votues në tërësi. Leposaviçi është me 13 mijë e 639 votues, Zubin Potoku me 6 mijë e 862 votues, Zveçani me 7 mijë e 201 votues dhe Mitrovica e Veriut me 18 mijë e 546 votues,” shprehet Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së

KQZ miratoi edhe 44 qendra votimi të cilat kësaj radhe do të jenë në institucione publike dhe jo në kontenjerë siç ishte votuar më 2023.

“Qendrat e votimit vazhdojnë të mbesin të njëjta ato që kanë qenë të planifikuara para zgjedhjeve të prillit, siç e dimë gjatë marsit të vitit të kaluar kemi miratuar një listë të qendrave të votimit për të gjithë në nivel vendi dhe këto qendra të votimit vazhdojnë të mbesin të njëjta, pra nuk do të zhvillojnë në objekte private por do të jenë qendrat në institucionet publike.”

Me qëllim të funksionalizimit Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, të cilat kanë mbetur pa zyrtarë pas dorëheqjeve të serbëve, janë caktuar edhe 20 zyrtarët ekzekutivë nga komunat e tjera.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi