“Prit dhe pak e jep më shumë”, Osmani: Plani i zbatimit të jetë i barabartë, “dinari” do të zgjidhet

Nga Ideal Gola
18 Mars 2024, 17:57 | Kosova

Presidentja Vjosa Osmani kërkoi që Bashkimi Evropian të propozojë një plan tjetër zbatimi për marrëveshjen e normalizimit që i trajton si të barabartë Kosovën dhe Serbinë.

Ajo tha se Beogradi e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit me dhjetëra herë që nga dakordimi i saj një vit më parë.

Gjatë një konference për media në Lipjan ku qëndroi për vizitë, Osmani deklaroi se ka qenë kundër një plani zbatimi të mëhershem pasi parashiej që shumica e përfitimeve Serbia t’i marr në fillim kurse ato të Kosovës të jenë në fund.

“Kërkoj që të ketë trajtim të barabartë të palëve, që plani sekuencues i zbatimit të ketë parasysh si Kosova dhe Serbia të zbatojnë në mënyrë paralele të menjëhershme obligimet e tyre e jo që njëra palë të ketë të gjitha përfitimet në fillim e pastaj për Kosovën te mendohet krejt në fund sepse kjo thjesht do të na krijojë edhe një situatë ku Serbia përfiton kurse Kosovës i thuhet prit edhe pak, jep edhe më shumë, jep edhe me shumë."

Osmani foli edhe për rregulloren e BQK-së dhe propozimet amerikane për të zgjidhur ngërçin.

Presidentja u shpreh se ka pajtime për një pjesë të propozimit ndërsa tregoi se po punohet që te ketë dakordim të plotë, sidomos te pjesa se në duart e kujt përfundojnë paratë e Beogradit.

“Si duhet të sigurohemi që çdo ndihmë financiare që vjen nga Serbia mos të shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar, dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve por i kanë shfrytëzuar për korrupsion e krim të organizuar dhe për atë pjesë është ende duke u hartuar një plan që do të përfshijë institucionet e Kosovës përfshirë edhe ato ligjzbatuese.”

Në lidhje me dinarin, Osmani tha se opsioni më i mirë do të ishte që të arrihej një marrëveshje gjatë së martës në Bruksel ku janë ftuar në takim kryengociatorët e Kosovës dhe Serbisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos