Rusia lëshon dy raketa supersonike në Detin e Japonisë

Nga A2 CNN
28 Mars 2023, 09:57 | Ballkani
Rusia lëshon dy raketa supersonike në Detin e Japonisë

Flota e Rusisë në Paqësor ka lëshuar dy raketa supersonike në ujërat e Japonisë, të martën në mëngjes. Lajmin e bëri të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes.

“Dy anije raketore kryen një sulm të përbashkët kundër një mburoje detare që simulon një anije luftarake të armikut”, njoftoi ministria në një postim në Telegram.

“Objektivi u arrit me sukses në një distancë prej 100 km nga një goditje e drejtpërdrejtë prej dy raketash lundrimi Moskit”.

Manovra u krye pasi Rusia kreu stërvitje në fillim të këtij muaji në Detin e Japonisë, i njohur gjithashtu si Deti Lindor, me një nëndetëse që goditi një objektiv tokësor mbi 1000 kilometra larg me një raketë lundrimi Kalibr, i njëjti lloj që Moska përdor rregullisht në luftën në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos