Gjetja e krahut të punës është kthyer në sfidën më të madhe të bizneseve në Shqipëri. Këtë e evidenton edhe Indeksi i Biznesit, publikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Që prej vitit 2012, vendin e parë ndër pengesat dhe problematikat e zinin niveli i lartë i korrupsionit, konkurrenca e pandershme, monopolizimi dhe performanca e dobët e ekonomisë shqiptare.
Ndërsa këta tregues të ekonomisë vijojnë të shënojnë përkeqësim, për herë të parë vëmendja është përqendruar te mungesa e punonjësve të kualifikuar lokalë, indikator që është përkeqësuar ndjeshëm, me -8.92 pikë.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj pranon se vendi po përballet me sfidën e madhe të largimit dhe mungesës së punonjësve dhe e sheh si zgjidhje të pjesshme të problematikës vetë rregullimin e tregut përmes rritjes së pagave.
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço thotë se nuk mund të ketë zgjidhje të bazuar në atë çfarë bën qeveria apo biznesi për të joshur punonjësit vendas. Sipas tij, duhet një politikë gjithëpërfshirëse dhe e mirë-koordinuar mes të gjithë aktorëve.
Tregu shqiptar i punës nuk po vuan vetëm largimin fizik të profesionistëve, por edhe “emigracionin virtual” ku punonjësit jetojnë në Shqipëri dhe punojnë për kompani të huaja me bazë në vende të ndryshme të botës.

Efektet e largimit të trurit po ndihen ndjeshëm te bizneset, duke dëmtuar produktivitetin si edhe duke rritur kostot për pagat e punonjësve. Përtej problematikave, indeksi i publikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, që i referohet vitit 2021 tregon për përmirësimin e klimës së biznesit në vend me3.77 pikë, ku ndikimin më të madh e ka pasur performanca e mirë e ekonomisë shqiptare, menjëherë pas daljes nga pandemia. (A2 Televizion)