Liverpool-i do të luajë sot përballë serbëve të Crvena Zvezda-s në Ligën e Kampionëve, por nuk do të ketë me vete sulmuesin me origjinë kosovare, Xherdan Shaqiri. Trajneri Jurgen Klopp e ka lënë 27-vjeçarin jashtë për të shmangur tensionet me tifozerinë serbe.
“Të gjithë e dimë se si është situata mes Serbisë dhe Kosovës. Ne përfaqësojmë një nga klubet më të mëdha të futbollit dhe kemi ardhur në Beograd për të luajtur futboll. Kjo është pjesa në të cilën duam të fokusohemi, ndaj menduam që të mos ta grumbullojmë Shaqirin në këtë ndeshje. Ai ka luajtur dhe do të luajë shumë ndeshje për ne, por jo sot”, u shpreh Klopp.
Kujtojmë që Shaqiri ishte protagonist në ndeshjen Zvicër-Serbi të vlefshme për Rusi 2018, me golin e tij që i dhuroi fitoren helvetëve, por edhe në qendër të kritikave nga mediat serbe për shkak të festimit me simbolin e shqiponjës.
Edhe sot, ka patur provokimet nga ana e të përditshmeve serbe, të cilat e kanë konsideruar frikë të Shaqirit udhëtimin drejt Beogradit. Ndërsa media të tjera vlerësojnë zgjedhjen e trajnerit Klopp. Në duelin e parë në grupe, anglezët triumfuan pastër në shtëpi, me rezultatin 4-0. (A2 Televizion)